Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin e ka uruar Agim Ademin për mandatin e ri katërvjeçar në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Ademi të mërkurën u zgjodh me 42 vota kryetar i FFK-së për mandatin e ri. Kuvendi zgjedhor ishte i mbyllur për media dhe gazetarë, ndërsa u mbajt në një sallë të vogël në selinë e FFK-së. U bojkotua nga 15 delegatë që ishin në përkrahje të Gramoz Vokrrit për kryetar.
“Jam i lumtur t’ju përgëzoj për rizgjedhjen në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës. Shumë punë të rëndësishme tashmë janë bërë për të ndërtuar dhe përmirësuar infrastrukturën e futbollit – stadiumet, fushat, qendrat kombëtare të stërvitjes janë disa shembuj kyç deri më sot. Ky progres i jashtëzakonshëm ka vendosur themelet për të ardhmen dhe ka krijuar një mjedis ku futbolli mund të ngrihet dhe të rritet për të përmbushur potencialin e tij të plotë. Të uroj gjithë të mirat në mandatin në vazhdim Agim dhe mezi pres të të takoj ty dhe të gjithë ekipin e Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili vazhdon të inkurajojë, zgjerojë dhe ofrojë mundësi të reja dhe emocionuese për futbollin në Kosovë”, shkruan në letrën e presidentit të UEFA-s të publikuar të enjten në faqen zyrtare të FFK-së.