Kapiteni i Lazios, Francesco Acerbi ka kundërshtuar rregullat e qeverisë të mbajtjes së distancës sociale, të cilat i ka quajtur si konfuze.
Qeveria po përballet me kundërshtime të shumta nga klubet e Serie A dhe Federata e Futbollit të Italisë pas kumtimit të “Fazës së Dytë” të reagimit ndaj pandemisë së koronavirusit.
Qytetarët nga 4 maji mund t’i kthehen vrapimeve nëpër parqe duke mbajtur distancën prej dy metrave, ndërsa sportistët në sportet individuale si tenisi po ashtu mund të nisin me ushtrime.
Mirëpo, në sportet ekipore, lojtarëve nuk i është dhënë leje të futen në fusha stërvitore deri më 18 maj, që do të shtyjë edhe më tepër rifillimin e stinorit në Serie A.
“Unë jam lojtar, kështu që nuk dua të shkaktojë bujë, por ka diçka që nuk më duket e kuptueshme. Si mund të lejohemi të vrapojmë në parqe, por jo edhe të stërvitemi në fusha stërvitore, ku do të jemi të izoluar dhe testuar rregullisht? Nuk më duket në rregull, pasi jam shumë i sigurt se mund të mbajmë distancën sociale më mirë në fusha stërvitore sesa në ambient të hapur. Nëse qeveria thotë se nuk mund të shkojmë në fusha stërvitore, atëherë duhet të pajtohemi me këtë vendim, por sinqerisht ky vendim më ka befasuar dhe flas edhe në emër të gjithë futbollistëve. Nuk shoh se ku është problemi dhe qeveria duhet të na ofrojë shpjegim, pasi nuk ka kuptim”, ka thënë Acerbi për “Lazio Style Radio”.
Lazio po udhëheq betejën ndaj Ministrit të Sportit, Vincenzo Spadafora, që vazhdon të paralajmërojë se nuk ka siguri se stinori në Serie A do të rifillojë. Lazio zë vendin e dytë në renditje, me një pikë disavantazh ndaj Juventusit.
“Futbolli është sporti më i adhuruar në Itali, por edhe është industri shumë e rëndësishme për ekonominë e vendit. Qartë se ne synojmë të kthehemi, por duke respektuar rregullat. Unë e kuptoj se ka shumë persona që nuk shqetësohen për futboll, por është një industri shumë e rëndësishme dhe po na mbaron koha për ta përfunduar stinorin. Kjo është edhe arsyeja pse është i rëndësishëm kthimi në stërvitje sa më shpejt”, ka thënë Acerbi.
Kapiteni i Lazios është më në rrezik nga koronavirusi se shumica, pasi dy herë ka mposhtur kancerin.
“Unë gjithmonë i them njerëzve ka dy rrugë: e drejta dhe e gabuara. E drejta është gjithmonë më e frikshme, pasi ka shumë pengesa. Të duhet forcë dhe të mos dorëzohesh. Gjithmonë duhet të mbash pozitivitet dhe të kujtosh se ka qetësi pas stuhisë”, ka shtuar Acerbi.