Aaron Cook ishte yll i taekwondos që prej moshës së re. Por, telashet me menaxhmentin i kanë kushtuar vazhdimisht. Ai la Britaninë e Madhe i dëshpëruar dhe filloi të garojë për Moldavinë. Kishte suksese, por jo ato që priteshin prej tij. Dhe kontrata e tij luksoze u ndërpre. Ai vazhdon të garojë për Moldavinë dhe karrierën e jashtëzakonshme shpreson ta kurorëzojë me medalje olimpike
Aaron Cook kujton lotët në sytë e tij, ndërsa flet për atë ditë historike për taekwondon britanike – 9 gushtin e vitit 2012.
Ishte një moment që Cook e kishte ëndërruar qëkur ishte frymëzuar për t’u marrë me këtë sport luftarak si pesëvjeçar. Ishte një nga momentet ikonike të Lojërave Olimpike të mbajtura në Londër.
Por, momenti nuk ishte i tij. Ishte shoku i Aaronit, Jade Jones, ai që fitoi medaljen e parë olimpike për Britaninë në taekwondo, ndërsa Cook po shikonte nga tribunat, pasi ishte anashkaluar në mënyrë të bujshme dhe shumë të diskutueshme nga ekipi olimpik i Britanisë së Madhe.
“Asnjëherë nuk mund të thuash se do ta kisha fituar medaljen e artë”, thotë Cook, i cili kishte mbrojtur kurorën e tij evropiane vetëm disa ditë para shpalljes së ekipit olimpik dhe ishte numri një në botë në kategorinë e tij deri në 80 kilogramë.
“Megjithatë, isha në formën e jetës sime. Më dukej sikur kishte ardhur koha ime, pasi kisha mposhtur shumicën e luftëtarëve atje dhe kisha besim të madh.”
Edhe
Kundërshtari i Usykut - legjendë e kikboksit dhe mik i aktorit Statham
Mbetja jashtë ekipit olimpik e la të thyer emocionalisht. Ajo që pasoi e theu atë edhe financiarisht.
Cook dhe familja e tij shpenzuan tërë kursimet e jetës – “qindra-mijëra funte” - në kundërshtimin e vendimit të përzgjedhësve për ta promovuar luftëtarin aq pak të njohur Lutalo Muhammad përpara tij.
Në fund ata dështuan në atë tentim.
Por, shpëtimi – të paktën monetar nëse jo shpirtëror – do të vinte në rrethana shumë të pazakonta. Një miliarder i telekomunikacionit nga Moldavia i bëri një ofertë që nuk mund ta refuzonte. Është vetëm një nga shumë kthesat e befasishme që Cook, tani 30-vjeçar, i ka përjetuar në karrierën e tij. Në fakt, ai ka pasur një rrugë unike në sport dhe ka edhe një fund të artë në horizont.
Është e vështirë të mbivlerësohet ngazëllimi i gjeneruar nga dalja në skenë e britanikut Cook. Dhe ai ende konsiderohet si njëri prej garuesve më të mëdhenj të taekwondos, me kampionin e LO “Londra 2012”, Jonesin, që e përshkruan si një “ikonë” të këtij sporti.
Fillimi i furishëm
Një vit pasi humbi për pak medaljen e bronztë olimpike në “Pekini 2008” në moshën 17-vjeçare, ai i njoftoi të gjithë me potencialin shkatërrues kur mposhti në mënyrë dramatike legjendën Steven Lopez, kampionin e pesëfishtë të botës. Kjo sinjalizoi ardhjen e tij si një yll global. Ai u bë jo vetëm fytyra e sportit, por edhe e LO “Londra 2012”.
“Pas kësaj profili im vetëm shpërtheu”, kujton Cook me një buzëqeshje. “Kjo më dha aq shumë besim, saqë mund ta mundja më të madhin e sportit, një nga idhujt e mi, dhe e kam marrë atë besim gjatë gjithë pjesës tjetër të karrierës sime”.
Ndërsa Lojërat Olimpike në Londër afroheshin, ai profil filloi të krijonte probleme. Sponsorët britanikë ishin të dëshpëruar për t'u kthyer mbrapa nga entuziazmi në rritje dhe Cook ishte një nga disa talentet e rinj të mashtruar me kontrata fitimprurëse.
“Ishte thjesht një kohë e çmendur dhe super emocionuese. Unë isha në reklama, në pako drithërash, duke takuar heronjtë e mi dhe pastaj ishte marrëveshja me ‘Power Rangers’. Unë u bëra një ‘Red Ranger’ zyrtar dhe nuk mund të besoja se isha karakter i serisë që e kam shikuar si fëmijë. Madje, thuhej se nëse do të fitoja medaljen e artë në Londër do të mund të luaja në serinë tjetër si ‘Gold Ranger’. Gjithçka ishte sikur në ëndërr”, kujton Cook.
Reklamat dhe fotosesionet morën kohën e tij. Angazhimet e tilla ishin dytësore për ekipin britanik të taekwondos, i cili nga baza modeste brenda një palestre përballë stadiumit të Manchester Cityt po përpiqej ta përgatiste atë më së miri për konkurrencën. U gjet një ekuilibër, por tensionet midis përfaqësuesve të Cookut dhe ekipit menaxhues të sportit nuk u zhdukën.
“Ekipi britanik kishte ide, ashtu si agjentët dhe prindërit e mi, kështu që patjetër që pati një konflikt dhe ai shpërtheu”, thotë ish-kampioni i botës për të rinj.
Duke kaluar kohë me sportistët e tjerë të kompanisë “Adidas”, si Mo Farah e Tom Daley, Cook mësoi se si sportet e tjera kishin qasje më fleksibile në programet stërvitore dhe atij i pëlqente ajo që dëgjoi.
Largimi nga programi i ekipit olimpik dhe lënia në listën rezervë

Ai ndjeu që programi i tij nuk ishte i personalizuar sa duhet, ndërsa ekipi britanik i taekwondos besonte se duhej të përqendrohej në zhvillimin e një larmie më të madhe taktike në paraqitjen e tij, nga frika se stili i tij shpërthyes po bëhej i parashikueshëm. Cook u testua me disa trajnerë të ndryshëm në skuadrën britanike, por pas një serie paraqitjesh të dobëta që arritën kulmin në një eliminim “të turpshëm” në luftën e tij të parë në Kampionatin Botëror të vitit 2011, ai mori vendimin dramatik për ta lënë programin e ekipit britanik të taekwondos.
“Unë mora vendimin që të sillem vërtet si një atlet profesionist dhe për të marrë një ekip rreth meje që ishte specifik për nevojat e mia”, thotë ai. “Paratë nga sponsorët e mi më lejuan të punësoj jo vetëm ekipin tim të forcës dhe kondicionit, por për të gjetur trajnerët më të mirë dhe luftëtarët më të mirë për t'u stërvitur.”
Ekipi britanik i taekwondos insistoi që “dera të mbetej gjithmonë e hapur” që Cook të kthehej. Dhe ai e bëri këtë në baza të përkohshme dy javë para Kampionatit Evropian të vitit 2012 në Manchester, i cili shërbeu si ngjarja përfundimtare e kualifikimit për Lojërat Olimpike.
“Unë isha duke shijuar stërvitjen, rezultatet ishin të shkëlqyeshme dhe madje edhe kthimi në përbërjen e ekipit britanik. As përdorimi i një prej trajnerëve të tij në vend të një trajneri tjetër që e kisha nuk më tronditi”, thotë Cook. “Unë kisha këtë mendim të qetë dhe besoja se kjo do të ishte olimpiada ime”.
Mirëpo, gjërat nuk do të qëndronin të qeta për shumë kohë.
Shfaqjet e Cookut në atë Evropian ishin më shumë të pranueshme sesa spektakolare. Ai bëri “aq sa duhej” për të kapërcyer çdo raund dhe për të zënë një vend në finalen e kategorisë deri në 80 kilogramë kundër rivalit nga Azerbajxhani, Ramin Azizov. U desh një diskualifikim i diskutueshëm i sekondës së fundit që t’ia siguronte atij medaljen e artë. Me këtë sukses, Cook e ruajti kurorën evropiane dhe mendoi se vendi në ekipin olimpik ishte i tij.
Cook ishte aq i përqendruar saqë fitorja e Muhammadit në kategorinë deri në 87 kilogramë një mbrëmje më herët nuk i kishte rënë në sy. Pa kaluar një javë nga suksesi ai mori lajmin “shkatërrues” se do të ishte rezervë e Muhammadit për Lojërat Olimpike.
Mbetja jashtë ekipit olimpik
Shoqata Olimpike Britanike (BOA) fillimisht refuzoi ta ratifikonte zgjedhjen e Muhamedit dhe vuri në dyshim për çfarë arsye Cook, i cili sapo kishte rifituar pozitën numër një në botë, po neglizhohej. Në kohën kur kampi i Cookut besoi se vendimi i luftëtarit për ta lënë organizatën e ekipit britanik duhet të ketë qenë një faktor, këtë e mohuan kategorikisht përzgjedhësit dhe menaxhmenti.
Beteja e hidhur u bë lajm kryesor për më shumë se një muaj dhe përfundoi vetëm kur Cookut iu tha se do të duheshin 500 mijë funte për ta çuar çështjen në Gjykatën e Lartë, një lëvizje që mund t'u kushtonte prindërve të tij me shtëpinë e tyre nëse do të humbnin rastin.
Edhe
Rrëfimi i Driton Kukës: sfidat, dyshimet, emocionet
“Ne e dinim në zemrat tona se mund të fitonim, por rreziku ishte shumë i madh”, thotë Cook. “Dua të them se megjithëse kurrë nuk ishte asgjë kundër Lutalos, ai shfrytëzoi rastin dhe lojën e ndershme duke e fituar medaljen e bronztë në Londër dhe pas katër vjetësh edhe të argjendtën në Rio. Por, duke parë prapa, është turp që rregullat nuk na lejonin që ne të dy të shkonim”.
Në atë kohë, megjithatë, Cook ndihej larg filozofisë. Ai tha se ishte “mashtruar” dhe këmbënguli se kurrë nuk do të garonte më për Britaninë, ndërsa ekipi aktual i menaxhimit do të ishte aty. Ai e gjeti veten të lënë nga të gjithë sponsorët e tij, të cilët u larguan.
“Pas lojërave, për rreth gjashtë muaj kalova një proces të vërtetë hidhërimi – u shëndosha dhe isha në depresion”, thotë ai. “Kur më në fund u shkëputa nga ajo, fillova ta rigjeja dashurinë për taekwondon përsëri, edhe nëse prindërit e mi nuk ishin shumë të lumtur. Unë mendoj se pas gjithë asaj që kishim kaluar të gjithë do të kishin dashur të shkoja në futboll, boks apo edhe UFC dhe në atë kohë, në moshën 21-vjeçare, unë mund të kisha shkuar nëse do të kishte pasur një ofertë serioze”.
Oferta e papritur
Cook do të kthehej në arenën e taekwondos, por besnik i fjalës së tij: kurrë më me ngjyra britanike.
Pastaj, në vitin 2014, erdhi një kthesë e papritur. Vetëm disa orë pasi siguroi medaljen e tretë të artë evropiane, Cook u fut në një dhomë të pasme të ndriçuar dobët në arenën pritëse në Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit. Presidenti moldav i taekwondos donte të fliste me të. Dy javë më vonë, në një restorant në Londër, ata u takuan përsëri dhe Igor Iuzefovici e përsëriti ofertën. Ai do t’ia rregullonte shtetësinë moldave. Kishte para të mëdha të përfshira. Do ta hapte një rrugë edhe për në Lojërat Olimpike.
“Ishte kaq e pavërtetë, e mahnitshme dhe e çmendur, sepse unë do të bëhesha përsëri një hero. Nuk mund të besoja, sepse ata më ofruan të paguanin gjithçka”, zbulon Cook. “Prindërit e mi kishin marrë përsipër të gjithë barrën financiare që nga Londra dhe unë e pashë këtë si një mënyrë për t'i paguar ata”.
Sapo doli fjala se Cook ishte në “tregun e transferimit të taekwondos”, ofertat rivale hynë. Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kazakistani dhe Turqia së shpejti po ia paraqitnin kushtet e tyre ekipit të tij.
“U bë kjo luftë e ofertimit, e cila ishte emocionuese, por unë isha i prerë se do të zgjidhja vetëm një vend që nuk kishte një luftëtar në divizionin tim, sepse nuk doja të shfrytëzoja një rast nga dikush që ishte rritur atje”, shprehet ai.
Britanikët fillimisht refuzuan kërkesën e tij për t'u liruar. Por, pasi u takuan me luftëtarin dhe kuptuan se mendja e tij ishte vendosur, drejtuesit olimpikë të Britanisë pa dëshirë ranë dakord për kërkesën e tij. Në prill të vitit 2015, ai u paraqit zyrtarisht me një pasaportë të Moldavisë.
“Kjo nuk u ndie si taekwondo”, thotë Cook. “Kontrata thoshte se do të merrja rreth 100 mijë funte nëse fitoja medaljen e artë olimpike. Ndihesha si një futbollist që sapo ishte angazhuar nga Manchester Unitedi”.
Dështimi në Rio dhe synimi për kualifikim në Tokio
Cook kishte shijuar vitin më të mirë të karrierës së tij me shtatë tituj të njëpasnjëshëm më 2014 dhe ai kërkoi medaljen e tij të parë të Kampionatit Botëror vitin vijues. Megjithatë, medalja e bronztë nuk ishte e mjaftueshme për ta qetësuar mbështetësin e tij miliarder.
“Fillimisht, gjithçka si stërvitja, kampet stërvitore dhe turnetë u paguan. Duke parë mbrapa, mbase duhej të kisha luftuar më shumë, por isha i vetëdijshëm për atë që kisha kaluar përpara Londrës dhe thjesht e dija që do ta kisha këtë mundësi në Lojërat Olimpike”, shprehet Cook.
Sidoqoftë, LO “Rio 2016” nuk do të ishin lojërat që ai ëndërronte. Ai u eliminua në mënyrë zhgënjyese në raundin e parë nga një luftëtar që pritej ta mundte lehtë.
“Unë kam qenë fajtor për presionin e madh që ia bëra vetes. Kishte kaq shumë gjëra që po ndodhnin me Moldavinë, prindërit e mi, vëllain tim, marrëdhëniet me trajnerin tim, dhe natyrisht unë doja t'i tregoja Britanisë se do të ndihej mungesa ime”, pranon Cook.
Dy javë më vonë ai mori një e-mail që e informonte se kontrata e tij, që ishte e vlefshme deri në “Tokio 2020”, po shkëputej.
Pas “shumë lotëve”, shumë kërkimesh shpirtërore dhe kthimit te banka e mamasë dhe babait, ai gjeti një mënyrë për të luftuar dhe 12 muaj më vonë siguroi medaljen e dytë të bronztë në Kampionatin Botëror të vitit 2017, ende duke garuar për Moldavinë. Ai u emërua edhe sportisti i vitit i vendit.
Por, ai rrallë kalon kohë atje. Që atëherë ai ka qenë kryesisht duke u stërvitur vetë në palestrat lokale afër shtëpisë së tij në Manchester dhe tani janë bërë tre vjet që nga medalja e tij e fundit e madhe ndërkombëtare – e argjendta evropiane.
Kushtet e kontratës së tij origjinale -– përfshirë bonusin olimpik – nuk qëndrojnë më. Lëndimet bënë që Cook ta humbasë kualifikimin automatik për Lojërat Olimpike të Tokios, por shtyrja e ngjarjes e shkaktuar nga pandemia ka sjellë një këndvështrim tjetër e po ashtu edhe perspektiva të reja.
Ndërsa ishte në karantinë me të dashurën e tij Bianca Walkden, tri herë kampionen e botës në kategorinë +73 kg, dhe kampionin e dyfishtë olimpik, Jonesin, Cook rregullisht stërvitej me këtë çift. Pasi u bashkua me ta në një kamp trajnimi në Kroaci vitin e kaluar, ai tani është i punësuar nga ekipi britanik i taekwondos si një partner zyrtar.
“Është çmenduri se si kanë shkuar gjërat”, thotë ai duke qeshur. “Nuk më besohej se jam sërish tek ekipi britanik, sepse u largova nga akademia në vitin 2011. Unë nuk ua kam falur atë që më kanë bërë, por nuk mund të jetoj me të kaluarën”.
Drejtori i performancës në ekipin britanik, Gary Hall, thotë se nuk ka “asnjë hidhërim” ndaj Cookut.
“Ai është një djalosh i mirë, stërvitet shumë, është shumë i shpejtë dhe ofron një sfidë vërtet të mirë për atletët tanë si një partner stërvitjesh. Ne kemi qenë të lumtur që ai po kryen atë rol – të stërvitet në akademi – dhe shpresojmë që ai të shkojë në Tokio dhe ta fitojë një medalje”, tha ai.
Edhe
E bronzta e Ademit, “shpërblimi” i Evropianit në Prishtinë
Tani po vjen prova tjetër e madhe. Për t'u kualifikuar për Lojërat Olimpike të Tokios që mbahen në korrik ai duhet të arrijë në finale në kualifikimet Evropiane në Bullgari këtë fundjavë.
“Kam rastin të ndryshoj gjithçka dhe jam gati për këtë. Është mundësia e fundit në karrierën time dhe dua ta shfrytëzoj atë”, porositi Cook.