Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

89-shi vazhdon të lëshojë pikë

Trajneri i Trepçës '89, Gugash Magani pranon se ekipi tij është larg garës për titull të kampionit, pas barazimit ndaj Flamurtarit. Ai ka thënë se ekipit nga Mitrovica i duhet organizim më i mirë për ndeshjet e ardhshme. Trepça '89 dështoi ta fitojë ndeshjen e radhës në stadiumin e saj, "Riza Lushta" në Mitrovicë. Të dielën barazoi ndaj Flamurtarit të Prishtinës me rezultatin 2:2, në kuadër të javës së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll.

Me një pikë të fituar Trepça '89 zë vendin e shtatë me 11 pikë gjithsej. Është plot 12 pikë larg liderit Feronikelit, ndonëse fillimisht llogaritej pretendente për titull. Flamurtari zë vendin e katërt me 16 pikë, shkruan sot Koha Ditore.

"Bëmë shumë gabime dhe kjo po ndodh për shkak të trysnisë si pasojë e mungesës së rezultateve. Mirëpo ne bëmë gabime që nuk duhet t'i bëjë një futbollist 18-vjeçar e të mos flasim për lojtarët që i kemi me shumë përvojë. Në pjesën e dytë nuk pati shumë lojë, sepse Flamurtari nuk lejoi të luhet. Sidoqoftë, ky është problem për Federatën, për gjyqtarët, sepse futbolli është për t'u luajtur dhe jo për të qëndruar i shtrirë në tokë. Pa marrë parasysh këtë, ky rezultat na largon ndjeshëm nga objektivat, por na mbetet të organizohemi dhe të kthehemi të paraqitemi më mirë në ndeshjet në vazhdim", ka theksuar trajneri nga Shqipëria, Magani.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Artikuj të ngjashëm