Fitorja e Prishtinës ka rritur edhe më tej presionin ndaj dy skuadrave të tjera që po luftojnë për titull, Trepçës '89 e Ferronikelit, shkruan sot Koha Ditore.
Prishtina të premten fitoi ndaj Hajvalisë (1:0) në ndeshjen që e hapi javën e 26-të të Vala Superligës së Kosovës në futboll dhe tashmë është ngritur në pozitën e dytë me 54 pikë.
Në pozitën e dytë synon të kthehet menjëherë Ferronikeli që të shtunën (sot) përballet me Trepçën në udhëtim. Nikli ka rënë në vendin e tretë me 51 pikë, pas fitores së Prishtinës.
Ndërkohë e qetë nuk është as liderja e klasifikimit, Trepça '89, që të dielën do të synojë të rrisë apo të paktën të mbajë epërsinë e pikëve. 89-shi prin me 59 pikë. Të dielën ka ndeshje të vështirë ndaj Dritës në Gjilan.
Ferronikeli javën e kaluar lëshoi rastin që t'i afrohej kreut, pasi barazoi pa gola me Dritën në Drenas. Tani skuadrën e Afrim Tovërlanit e pret një udhëtim i vështirë në Mitrovicë. Trepça është e parafundit (11) me 16 pikë, por nuk është dorëzuar nga gara për t'u ngritur të paktën një pozitë dhe kështu të sigurojë barazhin. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.