Sport

Shkëndija, kampione e Maqedonisë për herë të dytë

Shkëndija e Tetovës është shpallur për herë të dytë kampione e elitës se futbollit të Maqedonisë.

“Kuqezinjve” të Tetovës, shtatë xhiro para fundit, u duhej vetëm një pikë që të kremtojnë titullin, raporton “Sporti Total” i KTV-së.

Megjithatë, të besuarit bënë edhe më mirë duke e mposhtur Shkupin me dy gola që erdhën në pjesën e dytë.

Me 75 pikë, 24 fitore, 3 barazime e 2 humbje pas xhiros së 29, e me 82 gola të shënuar e 21 të pranuar, tetovarët e morën kurorën e më të mirit pas 8 vjetësh.

Në sezonin 2010/11, ishte trajneri Qatip Osmani që e drejtoi skuadrën drejt këtij suksesi, e po i njëjti trajner i solli qytetit të Tetovës ndjenjën e të qenit, ekipi më i miri i ligës.

Në fushën e lojës, Shkëndija dominoi për 90 minuta.

Momentet më të mira të vendësve në pjesën e parë ishin ato të Izair Eminit në minutat 2 e 14, dhe Armend Alimi dy minuta më pas, por që nuk përfunduan në rrjetë. Mysafirët nga ana tjetër luanin në mbrojtje më shumë.

Pas pushimit, trajneri Qatipi reagoi duke futur në lojë Besart Ibraimin. Pas një ore lojë, u inkuadrua edhe Marjan Radeski. Këtij të fundit iu deshën vetëm tre minuta për ta zhbllokuar rezultatin.

Në festë tifozëria “Ballistët”, që nuk ishin në numër të madh për ta përcjellë ndeshjen kryesore të kampionatit.

Në minutën e 67, Shkupi u gjend në rast të artë me zëvendësuesin Alen Jasharoskin, por Bekim Rexhepi nuk u mposht.

Rastet e shpërdoruara u kushtuan vizitorëve. Ata ishin të pafuqishëm ta ndalnin spektaklin e dhuruar nga Besart Ibraimi, që shënoi për 2:0.

Për të ishte goli i 19-të sezonal dhe bashkë me kapitenin Ferhan Hasani, ndajnë pozitën e parë në listën e golashënuesve më të mirë të ligës.

Deri në fund të ndeshjes nuk pati raste dhe ndeshja u mbyll 2:0.

Për Shkëndijën kampione, kjo ishte ndeshja e 17-të kampionale pa humbje.

Më 23 maj, “Kuqezinjtë” e Tetovës do të luajnë edhe në finalen e Kupës së Maqedonisë kundër Pelisterit dhe në rast se fitojnë do ta mbyllin sezonin me dy trofe, që do ta bënte të jashtëzakonshëm sezonin e tetovarëve.