Afër 600 lojtarë, trajnerë dhe zyrtarë që përgatiten për “Australian Open” do të duhet të izolohen deri në momentin kur do ta pranojnë testin negativ për COVID-19.
E gjitha kjo është bërë për shkak se një punëtor, në njërin prej hoteleve që është përdorur për izolim për pjesëmarrësit e garës, ka dalë i infektuar me virus.
Daniel Andrews, i pari i shtetit të Victorias, njoftoi për rastin në mbrëmjen e së mërkurës në Australi nëpërmjet një konference. Ai inkurajoi të gjithë ata që janë në Melbourne dhe që kanë simptoma, të testohen.
Andrews ka thënë se ky rast mund të ketë ndikim në njërin prej gjashtë garave që po mbahen këtë javë para fillimit të “Australian Open”. Supozohet se çdo lojtar, trajner apo zyrtar që ka qenë karantinë në hotelin “Grand Hyatt” në Melbourne, janë kontakte të rastësishme me 26-vjeçarin dhe kërkohet nga të gjithë ata të hyjnë në izolim deri sa ta marrin testin negativ.
Në këtë hotel janë 550 dhoma, përfshirë 25 dhoma premium, dhe potencialisht, qindra njerëz mund të jenë të përfshirë.