Sport

Reagon Federata e Notit: Kurdisje dhe skenar nga zyrtari i WA dhe KOK-u

Descriptive Text

Federata e Notit e Kosovës ka lëshuar një reagim të gjatë të martën mbrëma. Në reagim është paraqitur konstatimi i FNK-së se letra e firmosur nga thesarmbajtësi i World Aquatics, Dale Neuburger nuk  është e saktë.

Letra e zyrtarit të lartë të Federatës Botërore të Sporteve të Ujit (World Aquatics), Neuburger, është prezantuar në Asamblenë e Punës së KOK-ut, të mbajtur javën e kaluar. Neuburger i ka shkruar sekretarit të përgjithshëm të KOK-ut, Besim Aliti, ndërsa ka konkluduar se notarja Hana Beiqi është diskriminuar nga Federata e Notit e Kosovës.

Por FNK-ja ka shpërfillur këtë konstatim, ndërsa ka bërë akuza të rënda në drejtim të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Neuburgerit.

Notarja e talentuar Hana Beiqi nuk është përzgjedhur për dy Botërorët e fundit dhe kështu nuk e ka të drejtën e paraqitjes në Lojërat Olimpike me ftesë.  Pjesëmarrja në njërin prej dy botërorëve të fundit është kusht për ftesë. Në kampin e Beiqit konstatojnë se ajo është diskriminuar në këtë mënyrë, ndërsa njëjtë ka vlerësuar edhe KOK-u e po ashtu zyrtari i lartë i World Aquatics.

Por ndryshe vlerëson Federata e Notit e Kosovës.

Sipas FNK-së, letra e Neubergerit është opinion i tij e jo dokument i World Aquatics.

“FNK-ja pas ekzaminimit të rezultateteve konstaton se DOKUMENTI i prezantuar nga ana e KOK-ut nuk është i saktë, nuk përputhet me databazën zyrtare të WA, e sidomos në ekzaminimin e rezultateve të sportistet Eda Zeqiri, ku në DOKUMENT dëmtohet për 106 FINA pikë”, shkruan në reagimin e FNK-së.

Federata ka paraqitur një listë të gjatë të linqeve të rezultateve, që sipas FNK-së, konfirmon atë që shkruhet në reagim.

“FNK-ja konstaton se dokumenti nuk është i saktë, ndërsa pretendimi i KOK-ut lidhur me diskriminimin është lajthitje dhe skenar. Shkurt, kurdisje”, shkruan tutje FNK-ja.

FNK-ja ka vërejtje se letra e zyrtarit të WA nuk është prezantuar me kohë. 

“Përgjegjësia zyrtare për këtë skandal i adresohet Besim Alitit, mbi bazën e mosprocedimit me kohë në FNK (të letrës v.j.), në mënyrë që FNK-ja të deklarohej për ekzaminim të rezultateve të dokumentit me ato të WA”.

Madje FNK e bënë palë me KOK-un edhe zyrtarin e lartë të World Aquatics.

“Mosprocedimi i dokumentit e ekspozoi z. Dale dhe KOK-un në formën më të papërshtatshme – kurdisje dhe skenar”, ka shkruar FNK-ja.

Sipas federatës, zyrtari i WA, Neuburger, edhe më herët ishte i përfshirë në raste ndaj FNK-së.

Letra vazhdon me akuza tjera të FNK-së ndaj Komitetit Olimpik të Kosovës, përkatësisht drejtuesve të saj.

KOHA i është drejtuar edhe Komitetit Olimpik të Kosovës. Në KOK nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e FNK-së. Kanë thënë se nuk kanë çka të shtojnë në atë që ka thënë Neuburger, “njeriu kryesor i World Aquatics për përpilimin e sistemit kualifikues për Lojëra Olimpike”.