Sport

Ndeshje vendimtare për Bayernin dhe Tuchelin

I gjithë edicioni garues do të jetë në lojë për Bayernin kur të takohet me Lazion të martën prej orës 21:00.

Me shumë mundësi do të jetë ndeshja e fundit për trajnerin Thomas Tuchel nëse Bayern Muencheni nuk përmbys rezultatin e ndeshjes së parë të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve. Më 14 shkurt kampioni gjerman kishte pësuar 1:0 nga Lazio në Romë, në stadiumin “Olimpico” në praninë e 57 mijë shikuesve. Ciro Immobile kishte vendosur atë ndeshje me golin nga penalltia në minutën e 69-të. Përmbysjen e rezultatit, Bayerni e synon në “Allianz Arena”, të martën mbrëma.

Në fakt Tuchel ka njoftuar se do të largohet nga Bayerni në fund të edicionit. Para ndeshjes së parë me Lazion, Bayerni kishte pësuar 3:0 nga Bayer Leverkuseni. Më pas humbi edhe nga Bochumi në Bundesligë. U kthye te fitorja më 24 shkurt në ndeshjen ndaj RB Leipzigut, ndërsa fundjavën e kaluar barazoi 2:2 me Freiburgun.

Bayerni tashmë është eliminuar nga Kupa e Gjermanisë, ndërsa në Bundesligë ka mbetur dhjetë pikë prapa Bayer Leverkusenit. Kështu që të gjitha shpresat për një edicion të suksesshëm kanë mbetur te kampanja në Champions. Trofeu i Championsit megjithatë është larg për Bayernin. Gjiganti bavarez fillimisht duhet ta kalojë Lazion.

Nëse Bayerni nuk e eliminon Lazion, do të ketë pak arsye që drejtuesit e klubit ta mbajnë Tuchelin në dhjetë ndeshjet e fundit të kampionatit. Kritikat e Tuchelit ndaj lojtarëve kanë sjellë ndarje në skuadrën e Bayernit. Klubin e pret verë e ngarkuar për t’u kthyer në rrugën e sukseseve.

“Kemi 90 minuta për të përmbysur rezultatin. Kemi nevojë për koka të ftohta, por po ashtu për emocione dhe për të bërë të qartë që duam të shënojmë gola nga fillimi. Duhet të jemi po ashtu të durueshëm dhe të mos frustrohemi nëse gjërat nuk shkojnë si duhet”, ka thënë Tuchel të hënën në konferencë për shtyp.

Trajneri i Bayernit ka thënë se skuadra duhet të ndjejë presionin, pasi ai është i nevojshëm për një paraqitje të jashtëzakonshme. Sipas Tuchelit, Lazio e Maurizio Sarrit është skuadër e organizuar mirë.

“Por ne e dimë që duhet të fitojmë. Shpresojmë që tifozët dhe atmosfera në shtëpi mund të na shtyjnë që të arrijmë objektivin tonë për një fitore me dy gola dallim”, ka shtuar Tuchel.

Lazio është jashtë garës për titull në Serie A. Mban vendin e nëntë me 40 pikë pas 27 xhirove. Në kampionatin italian ka humbur dy ndeshjet e fundit. Fillimisht pësoi nga Fiorentina e në fundjavë edhe nga Milani. Në fakt skuadra nga Roma humbi tri prej katër ndeshjeve kampionale pas asaj fitoreje të madhe ndaj Bayernit.

Mbetja e mëtejme në Champions do të ishte sukses i madh për skuadrën e Sarrit.

“Duhet të jemi të guximshëm dhe të vendosur. Jemi të vetëdijshëm që do të jetë shumë e vështirë. Duhet të jemi të gatshëm të vuajmë dhe të sakrifikojmë. Në futboll asgjë nuk është e pamundur dhe kjo duhet të na jap kurajë. Duhet të jemi në lojë nga fillimi”, ka thënë Sarri në konferencë për shtyp.

Ai ka vazhduar duke thënë se nuk ka rrugë të lehtë drejt kualifikimit në Champions.

Sarri ka theksuar se Bayerni ka cilësi të shumta dhe shënon gola me lehtësi.

“Për këtë duhet të luftojmë dhe të vdesim në mbrojtje. Por gjithashtu duhet të kemi guximin të shkojmë përpara dhe të godasim rivalët. Nuk mund të mbrohemi për 100 minuta”, ka vazhduar Sarri.

Të martën është edhe ndeshja mes Real Sociedadit dhe Paris Saint-Germainit. PSG-ja e ka fituar 2:0 ndeshjen e parë në Paris. Sociedadi ka humbur dy ndeshjet e fundit në La Liga dhe ka rënë në pozitën e shtatë. PSG-ja po ashtu nuk është në momentin më të mirë. Ka barazuar në dy ndeshjet e fundit në kampionatin francez. Megjithatë, është lider me nëntë pikë më shumë se përcjellësi i parë. Sa i takon Parisit, më shumë flitet për të ardhmen e sulmuesit Kylian Mbappe. Parisi megjithatë, është favorit i madh për të avancuar në çerekfinale të Championsit.