Sport

Milani “larg” titullit, barazon me Bolognan

Milani duket se këtë sezon do të luftojë për një vend në top-katërshe, pasi çështja e titullit duket shumë larg.

Të shtunën mbrëma, në “San Siro”, Milani barazoi 2:2 me Bolognan.

Rossonerët madje gabuan dy herë nga penalltia.

Joshua Zirkzee, 22-vjeçari në formë, kaloi mysafirët në epërsi në minutën e 29-të.

Olivier Giroud (42’) dështoi nga penalltia për ta barazuar rezultatin. Por tre minuta më vonë, Ruben Loftus-Cheek (45’) arriti të shënonte.

Në pjesën e dytë, Theo Hernandez (74’) dështoi nga pika e bardhë për t’i dhënë epërsinë Milanit. Këtë e bëri në minutën e 83-të sërish Loftus-Cheek.

Por penalltitë e humbura i kushtuan në fund skuadrës së Stefano Piolit. Pikërisht nga penalltia, skuadra e Bolognas e barazoi rezultatin në minutën e dytë të shtesës përmes Roberto Orsolinit.

Milani është në vendin e tretë me 46 pikë. Ka shtatë pikë më pak se Juventusi lider dhe pesë më pak se Interi i vendit të dytë, por që ka dy ndeshje më pak.

Bologna është e shtata me 33 pikë.