Sulmuesi i Kosovës U21, Dion Krasniqi, ka ndërruar ekip dhe ka siguruar mbetjen në elitën e futbollit të Suedisë.
Krasniqi të mërkurën është prezantuar te skuadra e Elfsborgut, tek e cila kaloi nga Varbergs BoIS. Krasniqi me Elfsborgun ka firmosur kontratë pesëvjeçare dhe në prezantimin e tij ka theksuar se është shumë i lumtur me zgjedhjen e bërë.
Elfsborgu nuk ka bërë të ditura detajet e marrëveshjes me Varbergsin. Krasniqi 20-vjeçar kishte kontratë me këtë skuadër deri në fund të vitit 2026. Ai Varbergsit i ishte bashkuar në verë të vitit 2022 nga Lunds BK, ndërsa në 23 paraqitje në Allsevskan ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar dy herë. Paraqitjet e mira i siguruan transferim tek Elfsborgu.
Elfsborgu është nënkampion i Suedisë, derisa Varbergs BoIS u rendit i fundit dhe ra në kategorinë e dytë.
“Elfsborgu ishte zgjedhja e natyrshme për mua. Është një skuadër shumë e njohur dhe do të jetë emocionuese të shohim se çfarë mund të bëjmë së bashku”, ka thënë Krasniqi, i cili ka zbuluar se kishte edhe oferta nga klubet tjera.
“Unë dua të fitoj ndeshje dhe të zhvillohem si futbollist, gjë që mund ta bëj tek Elfsborgu. Është ekip që i ka të gjitha për të fituar tituj si dhe të siguroj një vend në garat evropiane”.
Viti 2023 ka qenë i suksesshëm për Krasniqin, i cili thotë se ishte stabilizuar te Varbergsi dhe në përgjithësi kishte paraqitje të mira.
“Jam shumë krenar me zhvillimin tim këtë vit dhe besoj se tek Elfsborgu do të vazhdoj me paraqitje edhe më të mira dhe ta ndihmoj ekipin me gola”, ka shtuar Krasniqi.
Krasniqi këtë vit ka debutuar edhe te Kosova U21, ku ka regjistruar pesë paraqitje. Te Kosova U21 ka luajtur me Besfort Zenelin, të cilin do ta ketë bashkëlojtar edhe tek Elfsborgu.
“Kur jemi grumbulluar te Kosova, me Besfortin disa herë e kemi ndarë dhomën së bashku. Kështu që unë e njoh mirë Besfortin dhe me padurim pres të luajmë së bashku tek Elfsborgu”, është shprehur Krasniqi. “Jam krenar për prejardhjen time, ndërsa mundësia për të luajtur për Kosovën është diçka shumë e madhe. Kështu që gjithmonë do të jem i lumtur për ta përfaqësuar shtetin tim”.
Krasniqi do t’i filloj përgatitjet me Elfsborgun në janar, ndërsa pret një edicion të jashtëzakonshëm.
“Besoj se do të jem gati për edicionin e ri dhe mezi pres të fillojmë përgatitjet. Do të jetë një edicion i mirë, në veçanti me ndeshjet evropiane në verë. Elfsborgu ka treguar se i takon majës së futbollit suedez dhe pres që kështu të jetë edhe me mua”, ka insistuar Krasniqi.
Tek Elfsborgu presin shumë nga Krasniqi. Trajneri Jimmy Thelin ka treguar se kanë pasur nevojë për një lojtar me karakteristikat e tij.
“Ne e kemi përcjellë zhvillimin e Dionit për vite të tëra dhe jemi të kënaqur që është pjesë e Elfsborgut. Karakteri i tij do të përshtatet shumë mirë në ekipin tonë për shkak se Dioni është një sulmues i gjithanshëm dhe i fuqishëm”, u shpreh Thelin.