Sport

Edicioni i Ligës Unike nis vitin tjetër në të dyja konkurrencat

Liga Unike e basketbollit mes skuadrave të Kosovës dhe Shqipërisë do të vazhdojë edhe këtë edicion, por do të startojë vitin tjetër me një ndryshim. Kështu, kanë marrë vendim Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) me Federatën Shqiptare të Basketbollit (FSHF) pas takimit të përbashkët që e kanë mbajtur.

Takimi është mbajtur kryesisht për vazhdimin e projektit të Ligës Unike, i cili nisi vite më parë dhe u proklamua me bujë të madhe nga të dyja palët.

Në njoftimin e lëshuar në faqen zyrtare të Ligës Unike, bëhet e ditur se edicioni 2023/24 do të nisë vitin e ardhshëm dhe atë në të dyja konkurrencat, por me një ndryshim të vogël. Përderisa, Liga Unike në konkurrencën e femrave do të zhvillohet në formatin e rregullt, ajo e meshkujve do të jetë në formë të turneut “Final Four”.

Edicioni i ri në konkurrencën e femrave do të startojë në muajin janar dhe do të mbyllet në fund të muajit mars me “Final Fourin” që do të organizohet në Kosovë. Edhe këtë edicion te femrat, do të marrin pjesë tri ekipet më të mira nga Kosova dhe Shqipëria, bazuar në renditjen e edicionit të kaluar.

Në dy edicionet e mëparshme, Ligën Unike te femrat e kanë fituar Prishtina dhe Flamurtari.

Ndërkohë, te meshkujt, turneu i “Final Fourit” do të mbahet në fund të muajit mars në Kosovë dhe do të përfshihen katër skuadrat më të mira nga Kosova dhe Shqipëria.

Edicioni i kaluar i Ligës Unike te meshkujt, u ndërpre pas xhirove të para për shkak të refuzimit të ekipeve nga Shqipëria që të marrin pjesë në këtë garë.