Sport

Notarët e Kosovës ndër të fundit në Evropian

Shtatë notarët e Kosovës kanë përfunduar ndër të fundit edhe në ditën e dytë të Evropianit në pishinë 25 metra, që po mbahet në Otopeni të Rumanisë.

Të mërkurën, Era Budima mbeti e fundit, përkatësisht e 21-ta në garën 200 metra delfin. Budima ishte për 26.14 sekonda më e ngadalshme se fituesja e kualifikimeve, britanikja Keanna Macinnes.

Larg kualifikimit në gjysmëfinale në garën 200 metra shpinë ishte Eda Zeqiri. Zeqiri u rendit e 25-a nga 26 garuese gjithsej. Ajo mbeti gati 17 sekonda prapa britanikes Medi Harris, që zuri vendin e parë në kualifikime. Notarja kosovare prapa vetes la vetëm garuesen nga Shqipëria, Vivian Xhemollari.

Garuesen nga Shqipëria, Julia Xhako, prapa e lanë dy notaret kosovare, Hana Beiqi dhe Jona Beqiri. Prej 29 garueseve pjesëmarrëse në 100 metra stil të përzier, Beiqi përfundoi e 27-a, kurse Beqiri e 28-a. Beqiri ishte gati dhjetë sekonda prapa fitueses së kualifikimeve, Nele Schulze të Gjermanisë, kurse Beiqi mbeti prapa për 8.84 sekonda.

Yll Spahiu u diskualifikua në 100 metra në stil bretkosë.

Garuesi Arion Budima në 1500 metra krol përfundoi në vendin e fundit, përkatësisht të 18-të. Ai garën e përfundoi për 16:45 minuta. Ishte mbi dy minuta prapa fituesit të kualifikimeve.

Në 1500 metra krol garoi edhe Mal Gashi, që kishte rezultat më të mirë. Ai përfundoi katër pozita më lartë se Budima. Gashi përfundoi i 14-ti, kurse koha e tij ishte 15:34 minuta. Ishte një minutë prapa fituesit të kualifikimeve.

Federata e Notit e Kosovës ka shkruar se me rezultatin e arritur, Gashi ka vendosur rekord të Kosovës.

Selektori i Kosovës, Enver Hajredini, ka pranuar se rezultatet nuk janë të mira.

“Në këtë formë në të cilën jemi duke punuar nuk shkojmë përpara. Duhet të ndërrohet qasja e stërvitjes. I kuptojmë fëmijët dhe prindërit, por duhet ndërruar qasja e stërvitjeve dhe përgatitjes fizike. Kemi rënë dakord të ndërrohet mënyra e punës që jemi duke e bërë për të mirën e fëmijëve dhe rezultateve. Nuk jemi edhe larg, por po na mungojnë disa gjëra. Për të pasur sukses duhet një notar të nisë punën në 5 të mëngjesit dhe ta përfundojë në ora 7 në mbrëmje. Këtë e kam ofruar unë si mendim. Kemi edhe probleme me mjete financiare, ashtu siç është thënë nga personi që menaxhon të ardhurat e federatës. 98 për qind e garuesve i kanë përmirësuar rezultatet. Janë më mirë me rezultate, por noti shkon më ngadalë sa i përket suksesit”, ka thënë Hajredini të mërkurën për KOHËN.

Shtatë garuesit e Kosovës do të notojnë edhe në ditët e ardhshme në Evropianin që po mbahet në Rumani, ndërsa përfundon të dielën. Nuk pritet ndonjë rezultat i madh prej tyre.

Notarët e Kosovës janë shumë larg rezultateve kulmore apo të paktën kalimit të raundeve kualifikuese. Ka po ashtu probleme të brendshme në Federatë. Federata është e ndarë në dy grupe dhe kjo ka goditur rëndë notin.

Rezultatet në Evropian dallojnë pak nga rezultatet në garat e viteve të kaluara. Dhe kjo dëshmon që zhvillimi mbetet ëndërr e largët.