Pak ditë pas tërheqjes së shortit për “Euro 2024”, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka përzgjedhur kampin bazë ku do të vendoset Përfaqësuesja e Shqipërisë gjatë ditëve të qëndrimit në Gjermani, ku edhe do të mbahet turneu. FSHF-ja ka njoftuar të mërkurën se Shqipëria gjatë Evropianit do të qëndrojë në kompleksin “SportCentrum Kaiserau”, i cili është më i miri në Gjermani për ekipe sportive dhe gjendet në afërsi të qytetit të Dortmundit. Në fakt, Shqipëria ndeshjen e parë në “Euro 2024” do ta luajë në stadiumin e Dortmundit, ku më 15 qershor do të përballet me Italinë. Kjo ndeshje i takon Grupit B, të cilin e përbëjnë edhe Kroacia e Spanja. Duelin me Kroacinë, Shqipëria do ta luajë në Hamburg (19 qershor), ndërsa në Duesseldorf (24 qershor) do të përballet me Spanjën. Sipas FSHF-së, ekipi i Shqipërisë 24 orë para secilës ndeshje do të transferohet në qytetin ku e luan përballjen dhe pas përfundimit të saj do të kthehet përsëri në kampin bazë për të vazhduar me përgatitjet. Kampi bazë ku do të vendoset Shqipëria është njëri prej komplekseve më moderne, në të cilin në të shkuarën kanë bërë grumbullime dhe faza përgatitore përfaqësuese të njohura botërore dhe skuadra gjithashtu.
“Qendra stërvitore është e specializuar për grumbullime dhe faza përgatitore të skuadrave dhe ka eksperiencë të pasur, pasi aty janë grumbulluar për faza përgatitore apo për turne në të kaluarën ekipet kombëtare të Gjermanisë, Brazilit, Spanjës, Bregut të Fildishtë apo klube si Bayern Munich, Real Madrid, Liverpool, Porto, Borussia Dortmund, Shalke, Valencia, Athletic Bilbao, Udinese, Legia, Borussia Moenchengladbach, Werder Bremen, Leipzig, Eintracht Frankfurt, Wolfsburg, Union Berlin, Fortuna Duesseldorf, Roda, Standard, Los Angeles Galaxy, Paderborn, Stuttgart, Hamburg, Bochum, Arminia Bielefeld dhe Dinamo Dresden”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.
Mësohet se selektori i Shqipërisë, Sylvinho, së bashku me stafin e FSHF-së kanë vizituar lokacionet e sugjeruara nga UEFA, dhe në fund janë përcaktuar për kompleksin e lartpërmendur. Ky kamp bazë është përzgjedhur edhe për faktin se kanë pranë gjashtë prej dhjetë stadiumeve, në të cilat do të zhvillohen ndeshjet e Evropianit që nis më 14 qershor dhe përfundon më 14 korrik të vitit të ardhshëm.
“Bëhet fjalë për një qendër ekselence sportive që ofron të gjitha kushtet e duhura, duke përmbushur kërkesat e stafit teknik. Trajneri Silvinjo dhe stafi i FSHF-së vizituan dy ditë më parë lokacionet e sugjeruara nga UEFA dhe më në fund pas një pune këmbëngulëse arritën të sigurojnë shërbimet e kësaj qendre stërvitore. Kampi bazë i Shqipërisë është përzgjedhur në një lokacion që ka pranë 6 prej 10 stadiumeve që do të presin ndeshjet e turneut”, ka shkruar FSHF-ja.

Për Shqipërinë, kjo do të jetë hera e dytë që do të paraqitet në Kampionatin Evropian. Shqipëria debutoi në “Euro 2016” të mbajtur në Francë, ndërsa u eliminua në fazën e grupeve pasi regjistroi një fitore karshi dy humbjeve në tri ndeshje të zhvilluara. Këtë herë Shqipëria u kualifikua në “Euro 2024” si e para e Grupit E kualifikues dhe synimi i saj në këtë turne është të avancojë nga faza e grupeve, përkundër kundërshtarëve tejet të vështirë.
