Ballkani nuk ka ndarë bileta për tifozët e Dinamo Zagrebit për ndeshjen e së enjtes, që i takon fazës grupore të Ligës së Konferencës. Kampioni i Kosovës në futboll ka vepruar në bazë të vendimit të UEFA-s të 19 gushtit, me të cilin tifozëve të kampionit kroat u ndalohet paraqitja në ndeshjet evropiane në udhëtim. Kjo masë e UEFA-s erdhi pas incidenteve të rënda që ndodhën në Athinë para ndeshjes së AEK-ut me Dinamon. Një tifoz grek mbeti i vdekur nga përleshjet e tifozëve, ndërsa shumë tifozë kroatë të Dinamo Zagrebit u burgosën nga autoritetet greke. Ndeshja ishte shtyrë dhe ishte zhvilluar më vonë.
Për të zvogëluar mundësinë e incidenteve të tjera, UEFA vendosi që të mos lejojë tifozët e Dinamos në ndeshjet e tjera evropiane në udhëtim, të paktën deri në fund të këtij edicioni të garave.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdonëse vendimi i UEFA-s është në fuqi, Dinamo të hënën përmes një postimi, ka kërkuar nga tifozët e saj që mos të udhëtojnë për në Prishtinë, ku luhet ndeshja me Ballkanin. UEFA ka shkruar se i takon Dinamos dhe kundërshtarëve të kësaj skuadre, në këtë rast Ballkanit, që të bëjnë maksimumin për të parandaluar udhëtimin e tifozëve të klubit zagrebas.
“Tifozëve mysafirë do t’u ndalohet qasja në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ për ndeshjen në fjalë dhe masat e posaçme të sigurisë, përfshijnë: Në hyrje të stadiumit do të ketë kontroll të kartave të identitetit; personat me dokumente kroate nuk do të lejohen të hyjnë në stadium; personave të cilëve u ndalohet hyrja në stadium nuk do t’u kthehen paratë për biletat e blera”, ka shkruar Dinamo të hënën në faqen zyrtare.
“Për këtë arsye u bëjmë kërkesë dhe apel tifozëve të Dinamos që të respektojnë rregullat, të respektojnë vendimin e marrë dhe mos të udhëtojnë për në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Klubi thekson angazhimin për një mjedis të sigurt dhe pozitiv dhe falënderon gjithë tifozët për mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre”, ka shkruar tutje Dinamo.
Tifozët e Dinamos janë të njohur si “Bad Blue Boys”. Ky tifo-grup është goxha i njohur në Evropë edhe për incidentet e shkaktuara. “Bad Blue Boys” ka qëndrim pozitiv ndaj shqiptarëve. Kjo ishte vërtetuar vjet gjatë një ndeshje me Shkupin, ku kishin bërë tifo në koordinim me tifo-grupin shqiptar “Shvercerat”. “BBB” e “Shvercerat” kishin bërë thirrje anti-serbe.
Ardhja e Dinamos, klubit me shumë përkrahës shqiptarë, po pritet me interesim në Kosovë. Ndeshja Ballkani – Dinamo zhvillohet të enjten nga ora 18:45 dhe i takon Grupit C të Ligës së Konferencës.
Në ndeshjen e parë në grup, Dinamo fitoi 5:1 ndaj Astanas, ndërsa Ballkani pësoi 1:0 nga Viktoria Plzeni. Dinamo, që ka përvojë të gjatë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës, vlerësohet favorit i madh ndaj Ballkanit.