Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, është ftuar nga përfaqësuesja e Malit të Zi në futboll. KOHA ka mësuar se ftesa për Kuçin tashmë ka arritur te Ballkani, ndërsa ajo pritet të bëhet publike shumë shpejt.
Kuç, 29-vjeçar, është nga Tuzi dhe deri më tani nuk ka luajtur për Malin e Zi. Ka pasur vlerësime se ai duhet të ftohet nga përfaqësuesja e Kosovës, por nuk ka pasur lëvizje në këtë drejtim deri më tani. Të paktën jo ndonjë lëvizje publike.
Kuç mbulon pozitën e mesfushorit defansiv, ku Kosova ka telashe shumë të mëdha. Ka disa vjet që pozita që mbulohet nga mesfushorët defansivë është më e dobëta në përfaqësuesen e Kosovës. Ndonëse Kuç është shquar me paraqitje të mira te Ballkani dhe ka udhëhequr skuadrën suharekase drejt suksesit në Evropë, Kosova nuk e ka llogaritur deri më tani.
Por paraqitjet e mesfushorit punëtor kanë rënë në sy të përgjegjësve të përfaqësueses së Malit të Zi.
Selektori i Malit të Zi, Miodrag Raduloviq, së shpejti pritet ta publikojë listën për dy ndeshjet e tetorit.
Më 12 tetor në Podgoricë, Mali i Zi luan miqësore me Libanin. Ndërkohë më 17 tetor, Mali i Zi përballet me Serbinë në Beograd, në kualifikimet për “Euro 2024”. Pra, ka gjasa që Kuç të paraqitet për Malin e Zi ndaj Serbisë.
Driton Camaj e Sead Hakshabanoviq, që është me prejardhje shqiptare, ftohen nga Mali i Zi. Jonathan Dreshaj është tjetër shqiptar i ftuar këtë vit te Mali i Zi.
Rekordmen për paraqitje te Mali i Zi është Fatos Beqiraj, që tashmë i ka dhënë fund karrierës. Beqiraj nga 86 ndeshje e 15 gola për Malin e Zi. Stevan Jovetiq e Stefan Saviq i kanë nga 70 ndeshje.
Kuç shquhet për paraqitje në futbollin kosovar. Te Ballkani luan prej janarit të vitit 2019. Prej atëherë është prej lojtarëve më të mirë në Superligën e Kosovës. Ka luajtur më herët për skuadra të ndryshme në Mal të Zi.