Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, ka thënë se sa herë që t’i jepet mundësia, golat e tij me fanellën e Rapidit të Bukureshtit do t’i festojë duke e bërë me duar shqiponjën. Një festim të tillë, Rrahmani e bëri të hënën mbrëma në fitoren e Rapidit ndaj Clujit. Rapidi triumfoi 3:1, ndërsa Rrahmani kontribuoi me dy gola e një asistim. Pas golit të dytë, të cilin e realizoi në minutën e 51-të, Rrahmani festoi me shqiponjë. Pas ndeshjes, ai është pyetur për këtë veprim, ndërsa ka thënë se është shqiptar dhe do të festojë në këtë mënyrë sa herë që i jepet mundësia. Deri më tani, Rrahmani ka shënuar 6 gola në katër ndeshje për Rapidin, ekip të cilit iu bashkua këtë verë nga skuadra e Ballkanit.
“Unë jam nga Shqipëria, saktësisht nga Kosova. Kam luajtur atje. Gjaku im është shqiptar dhe dua t’i inkurajoj shqiptarët gjithmonë kur kam mundësi”, është shprehur Rrahmani.
Sulmuesi është zgjedhur edhe lojtari më i mirë i ndeshjes, ndërsa ka thënë se do të mundohet që me golat e tij ta ndihmoj Rapidin për ta fituar titullin e kampionit të Rumanisë. Pas 10 ndeshjeve të zhvilluara, Rapidi zë vendin e tretë në tabelë me 18 pikë, 7 më pak se lideri FCSB. Madje, 23-vjeçari ka thënë se për të është normale që të shënojë gola kaq shpesh, pasi kjo është detyra e tij.
“Unë dua të vazhdoj me shënimin e golave dhe ta ndihmoj ekipin tim në kampionat. Pra, si sulmues, detyra ime është të sulmoj dhe të shënoj gola. Duhet patjetër të shënoj gola, pasi për këtë jam te Rapidi. Sigurisht, se do të luftojmë për titullin e kampionit dhe nuk do të dorëzohemi deri në fund. Do të shohim si do të shkojnë gjërat në ndeshjet e ardhshme”, është shprehur Rrahmani.
Ai gjithashtu është pyetur edhe për incidentin që ndodhi në ndeshjen mes Rumanisë dhe Kosovës, që u zhvillua këtë muaj në Bukuresht dhe i takoi kualifikimeve për “Euro 2024”. Rumania e fitoi me rezultatin 2:0 këtë ndeshje, e cila në pjesën e parë u ndërpre për 50-të minuta shkaku i shpalosjes së mesazhit “Kosova është Serbi” në tribuna. Shkaku i këtij veprimi, federata rumune ka marrë një gjobë prej 52 mijë eurosh nga UEFA. Rrahmani në këtë ndeshje debutoi te Kosova, duke u inkuadruar në dhjetë minutat e fundit.
“Nuk e di se çfarë të them, janë gjëra politike për të cilat nuk kam dëshirëtë flas. Unë jam futbollist profesionist dhe e kryej punën time në fushë. Në shkuan në zhveshtore dhe pastaj arbitra na tha që duhet të kthehemi në fushë dhe në u kthyem. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme kualifikuese që do t’i luajmë në tetor, do të shënojmë fitore”, ka thënë Rrahmani.
Sulmuesi kosovar ka kontratë me skuadrën rumune deri në verën e vitit 2026. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se nuk do të qëndrojë gjatë te Rapidi.
“Kam shënuar gjashtë gola deri më tani dhe sigurisht që ndihem mirë. Ndihem këtu si në shtëpi dhe i dua tifozët e Rapidit, të cilët janë fantastik. Mirëpo, nuk e di nëse do të qëndroj gjatë për shkak se dua ta avancojë në karrierë, t’i bashkohem ekipeve të mëdha të Evropës. Pra, dua të luaj në njërën prej top pesë ligave evropiane”, ka paralajmëruar Rrahmani.
Ndërkohë, edhe trajneri i Rapidit, italiani Cristiano Bergodi ka pasur fjalë të mëdha për Rrahmanin. Ai ka pranuar se Rrahmani është njëri prej sulmuesve më të mirë, të cilin e ka stërvitur gjatë tërë karrierës së tij si trajner.
“Po, po, po. Mund të them se është më i miri, edhe pasi unë kam qenë trajner në Itali, mund të them se është një nga sulmuesit më të mirë sepse e njeh futbollin. Ai e ka kohën, e di kur duhet të japë topin, e di kur duhet të mbrojë dhe kjo më gëzon që e morëm në ekip pasi është një sulmues shumë i mirë”, tha Bergodi.