Sport

Thaqi: Pikët e humbura do të mundohemi t’i kompensojmë

Mbrojtësi i krahut të djathtë i Ballkanit, Armend Thaqi, ka thënë se pavarësisht disfatës, ai me bashkëlojtarë duhet ta mbajnë kokën lartë e të vazhdojë tutje.

“Që nga fillimi e nisëm me luftë dhe luftuam deri në fund. Në bazë të lojës, ishim të bindur që golin do të na shënonin vetëm në atë mënyrë, me devijim apo diçka ngjashëm. Ashtu edhe ndodhi. Pamë një ekip si Viktoria që në çdo ndërprerje e vononte ndeshjen. Nuk u dorëzuam pavarësisht që ishim në disavantazh. Kemi edhe pesë ndeshje dhe do të vazhdojmë tutje. Nuk kemi pse ta ulim kokën. Mendoj që në këto ndeshje nuk do të futemi inferior ndaj askujt. Kemi eksperiencë. Pikët që i humbëm sot, do të mundohemi t’i kthejmë në ndeshjet e ardhshme”, tha fillimisht Thaqi.

Ai foli edhe për atmosferën në skuadrën suharekase, që është dy herë kampion i Kosovës në dy edicionet e fundit të Superligës.

“Ne si klub kemi atmosferë fantastike. Na janë larguar tre lojtarët kryesorë, shto këtu edhe Lindonin që është i lënduar. Pavarësisht katër mungesave, ne kemi arritur ta sigurojmë grupin me paraqitje shumë të mirë. Kjo tregon për atmosferën që e kemi në skuadër, tregon për ekipin që kemi dhe nivelin që e kemi”, është shprehur Thaqi për “Art Motion”.