Sport

Paqarada i gatshëm për debutim në Bundesligë

Mbrojtësi i krahut të majtë, Leart Paqarada, me padurim po e pret vikendin, saktësisht ditën e shtunë, ka shkruar “Kicker” të enjten. Kjo ditë do të jetë e veçantë për reprezentuesin e Kosovës, i cili është pjesë e skuadrës së Koelnit. Të premten nis edicioni 2023/24 në Bundesligë, ndërsa Koelni ndeshjen e parë e luan të shtunën, në udhëtim për Borussia Dortmundin. Paqarada pritet të jetë titullar i padiskutueshëm te Koelni në ndeshjen e tij të parë në karrierë në elitën e futbollit gjerman. Krahas debutimit në Bundesligë, Paqarada për herë të parë do të luajë edhe në stadiumin “Sigal Iduna Park” të Dortmundit, që ka një kapacitet mbi 80 mijë ulëse. Vetë futbollisti ka pranuar se është i emocionuar për këtë duel, që nis në orën 18:30, por ka shtuar se është plotësisht i gatshëm.

“Është diçka e pabesueshme. Debutimi në Bundesligë është diçka madhështore dhe vështirë se ka diçka më të mirë se kjo ndjenjë, me përjashtim të ndeshjeve që i luan në shtëpi. Me padurim po e pres ditën e shtunë dhe jam kurioz të shoh se si do të shkojnë gjërat. Po eci me buzëqeshje në fytyrë dhe këtë disponim do ta mbaj deri të shtunën”, ka thënë Paqarada, i cili ka folur për Dortmundin. “Jam optimist pasi kam besim dhe jo frikë nga kundërshtari. E kemi parasysh se Dortmundi është ekip i nivelit të lartë dhe ka shumë cilësi. Por ne nuk do të dalim në fushë vetëm për t’u shëtitur, po për ta implementuar planin tonë të lojës dhe për t’u treguar të guximshëm”.

28-vjeçari këtë verë iu bashkua Koelnit, ekip me të cilin firmosi kontratë deri në vitin 2026. Ai te Koelni u transferua si lojtar i lirë, pasi i skadoi kontrata me St. Paulin. Para St. Paulit, Paqarada ka luajtur edhe për Saundhausenin, të dyja ekipe që bëjnë gara në Bundesligën 2. Te Koelni, Paqarada është transferuar për ta zëvendësuar të pensionuarin Jonas Hector, i cili ishte edhe kapiten i ekipit. Në fakt, ai po shihet si pasardhës i tij, por Paqarada insiston se nuk mund të krahasohet me Hectorin, që është legjendë e klubit, pasi gjithë karrierën e tij ka luajtur për Koelnin.

“Nuk dua të bëj krahasime, sepse me siguri kam shumë gjëra për të mësuar. Megjithatë, kam folur me Jonasin dhe ai më ka thënë se mund t’ia dalë mbanë edhe kësaj sfide”, shtoi Paqarada, që është i lumtur që brenda një kohe të shkurtër ka bindur të gjithë te Koelni. “Kam ardhur këtu për të luajtur dhe po punoj fort. Jam i lumtur që kam besimin e stafit të trajnerëve dhe në çdo ndeshje do të mundohem ta ndihmoj ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Paqarada ka edhe 25 paraqitje dhe 1 gol të shënuar me Përfaqësuesen e Kosovës, për të cilën debutoi në qershor të vitit 2016.