Sulmuesi i Ballkanit, Albion Rrahmani, e shënoi njërin prej tre golave në fitoren ndaj Larnes së Irlandës së Veriut. Rrahmani dëshiron që të vazhdojë me suksese të tjera individuale, por ka shtuar se Ballkani e ka synim arritjen e suksesit të kaluar.
Ballkani në edicionin e kaluar të Ligës së Konferencës shkoi deri në fazën grupore të Ligës së Konferencës.
“Ishte ndeshje mjaftë e mirë e jona. E kontrolluam atë dhe kjo tregon se e kemi një karakter të fortë pas disfatës në Bullgari. Shpresoj të vazhdojmë me rezultate pozitive, pse jo të synojmë përsëri fazën e grupeve të Ligës së Konferencës”, tha fillimisht Rrahmani pas ndeshjes.
Ai nënvizoi se Ballkani ka krijuar diferencë të madhe nga ndeshja e parë.
“Kemi rezultatin në anën tonë prej tre golave. Edhe atje do të shkojmë, pse jo të mos e kërkojmë fitoren sërish. Synojmë të mos ndalemi, të mos mbyllemi, të mos e lejojmë lojën e kundërshtarit. Synojmë ta kontrollojmë ndeshjen. Si ndeshje ishte e vështirë, por treguam që jemi lojtar mjaftë kualitativ”, është shprehur Rrahmani.
Ai shtoi se përsëritja e edicionit të kaluar është e mundur nga Ballkani.
“Patjetër që kemi kapacitet. Kjo po shihet nga ndeshjet që po i bëjmë. Është diferencë nga viti i kaluar. Po bëjmë lojëra më të mira. Shpresojmë të përsëritet historia e vitit të kaluar. Synojmë të garojmë edhe më fort”, deklaroi Rrahmani.