Sport

Ludogoretsi konfirmon stërvitjen në “Fadil Vokrri”

Kundërshtari i Ballkanit, Ludogoretsi, ka njoftuar për programin që do ta ketë për duelin kundër suharekasve në Prishtinë.

Ballkani – Ludogorets luhet të martën mbrëma në orën 20:45 dhe i takon rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Nuk dihej se ku do të zhvillohej ky ballafaqim për shkak të fushës së rënduar në “Fadil Vokrri”.

Vetëm të premten mbrëma u konfirmua nga Federata e Futbollit e Kosovës që ndeshja të luhet në kryeqytet.

Në njoftimin e saj, FFK-ja kishte shkruar që fusha të ruhet sa më shumë nga klubet. Ka kërkuar që stërvitjet zyrtare t’i zhvillojnë në ndonjë stadium tjetër.

“FFK fton klubet që të përkujdesen maksimalisht në ruajtjen e fushës dhe kësisoj stërvitjet zyrtare t’i zhvillojnë në ndonjë stadium tjetër ose në Kampin Nacional në Hajvali, në mënyrë që fusha të mos dëmtohet më shumë”, shkruhej në njoftimin e FFK-së.

Por, klubi i madh bullgar ka njoftuar se stërvitjen zyrtare do ta mbajë pikërisht në “Fadil Vokrri”, në orën 19:30. Zhvillimi i stërvitjeve në stadiumin ku luhet ndeshja është i garantuar për skuadrat mysafire.

“Ludogoretsi do të udhëtojë në Kosovë të hënën në mëngjes nga Varna në Prishtinë. 12-të herë kampioni do të mbërrijë në orën 9:30 në mëngjes. Në të njëjtën ditë, ekipi do të mbajë stërvitjen zyrtare në orën 19:30 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Gjysmë ore më herët, trajneri Ivaylo Petev do të mbajë konferencën për shtyp për ndeshjen me Ballkanin që nis në orën 20:45 më 11 korrik. Të mërkurën në mëngjes, Ludogoretsi kthehet në Bullgari”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e Ludogoretsit.