Sport

Ndonëse ka prekur kulmin, Nora Gjakova vazhdon ta shtyjë veten përpara

Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka nisur një seri shkrimesh për kampionët olimpikë. E nënta me radhë e intervistuar prej atyre që kanë fituar medaljen më të vlefshme në sport ishte Nora Gjakova, xhudistja kosovare

Intervistimi i një kampioni olimpik është diçka e veçantë dhe gjithmonë jep disa fjalë dhe ide që të bëjnë të mendosh. Është një lloj edukimi unik. Shpërndarja e këtyre mendimeve dhe kujtimeve është e domosdoshme dhe pas rrëfimeve të Shinji Hosokawas, Tina Trstenjakut, Pino Maddalonit, Udo Quellmalzit, Cathy Fleuryt, Ki-Young Jeonit, Haruki Uemuras dhe Khasan Khalmurzaevit, tani paraqesim idetë e Nora Gjakovës, që është kampione olimpike në fuqi në kategorinë deri 57 kilogramë.

Mund të thuhet se të jesh në shoqërinë e një kampioni olimpik të xhudos do të thotë që je me dikë që ka arritur një kulm absolut në karrierë, një tavan që nuk mund të tejkalohet. Nuk ka ku të ngjitet më tej në botën e sportit. Shpesh hasim kampionë olimpikë që flasin me liri dhe siguri, pa frikë të ndajnë një mendim, duke folur për jetën dhe rrugën e tyre me besim të madh. Për shumicën mendojmë se ka paqe, dhe kjo mund të jetë tërheqëse dhe frymëzuese.

Pra, pyetja është se a u bënë kampionë olimpikë për shkak të atij karakteri apo u bënë të tillë pasi fituan medaljen e artë olimpike?

Nora Gjakova është një nga pak kampionet olimpike që janë intervistuar për arritjet e tyre të pabesueshme ndërsa janë ende garuese aktive. Ajo është në rrugën e kualifikimit për lojërat olimpike “Paris 2024”, pasi ka fituar medaljen e artë në Tokio në Olimpiadën e kaluar. Intervista me Nora Gjakovën u realizua në sallën e ngrohjes në Grand Slamin e Astanas të mbajtur më herët këtë vit.

“Nuk e di ende se si të shijoj atë që kam arritur tashmë, sepse jam ende shumë thellë në proces. Para se të filloja xhudon mbaj mend që isha një vajzë që i pëlqente të luante me kukulla ‘Barbie’. Unë isha fëmija i parë i prindërve të mi dhe ndoshta isha disi e llastuar, por jashtë shtëpisë isha vërtet garuese. Doja të isha drejtuese, personazhi kryesor i grupit”, thotë Nora. “Gjithçka ndryshoi kur fillova xhudon. Ishte ndryshe, sepse isha e re atje dhe kështu nuk isha në qendër të vëmendjes. Babai më ka çuar mua dhe vëllanë tim, Akilin, në një klub në Pejë, te Toni Kuka. Ishte ndryshe nga çdo mjedis tjetër ku kisha qenë dhe më duhej të luftoja shumë. Ishte e vështirë për mua të mos isha në qendër të vëmendjes, me kaq shumë vajza atje që ishin më të mëdha, më të mira dhe më të forta se unë”.

Përkundër sfidave, Gjakova thotë se dorëzimi nuk ishte opsion. Asaj iu desh të tregohej e durueshme dhe të vazhdonte të punonte për të besuar se mund të arrinte suksese si sportiste. Thotë se puna e saj ka bërë që t’i fitojë me meritë të gjitha medaljet.

“Nuk ishte opsion për mua që të hiqja dorë dhe më duhej të mësoja durimin. Ishte e qartë se nëse do të humbnim stërvitjen nuk do të kishim vëmendjen e duhur nga trajneri. Konsistenca ime e atëhershme luajti rol të madh në atë që jam sot. Vazhdova të stërvitesha deri në moshën 13 ose 14 vjeçare dhe në atë kohë trajneri erdhi tek unë dhe më tha që nga atëherë do të kalojmë me stërvitje dy herë në ditë dhe nuk do të ishte njësoj argëtimi si në të kaluarën. Ai gjithmonë më shtynte përpara kësaj, por ky ishte një hap i madh”, kujton Nora Gjakova. “Më duhej të punoja shumë me veten për ta bërë veten të besoja. Është shumë e rëndësishme për mua që t'i bëj të gjitha siç duhet. Duhet të punoj shumë për të besuar se e meritoj të fitoj. Kam fituar gjashtë medalje evropiane para medaljes botërore dhe më pas hapi tjetër ishte medalja olimpike, në të njëjtin vit, por gjithçka erdhi me radhë, hap pas hapi”.

Nora pranon se kalimi prej një stërvitjeje në dy stërvitje në ditë nuk ishte aspak i lehtë. Tregon se seancat me trajnerin Driton Kuka shpesh zgjasnin deri në tri orë.

“Edhe përpara se gjërat të ndryshonin në një program më serioz, që nga fillimi ishte zakonisht shtatë ditë në javë stërvitje. Por të kaloje në dy herë në ditë ishte shumë e vështirë, veçanërisht me Tonin, me seancat e gjata të trajnimit teknik, ndonjëherë deri në tri orë, ndonjëherë vetëm me dy prej nesh, ndoshta unë dhe Majlinda. I besova atij menjëherë, që kur fillova në moshën dhjetëvjeçare dhe kur ai bëri këtë ndryshim e dija se sa përpjekje kisha bërë tashmë. Kështu që nuk ishte një opsion për mua të thosha jo. Tashmë doja të kaloja kufijtë e mi dhe të thyeja egon time. Nuk më pëlqente të humbisja”, shprehet Nora. “Në fillim nuk kishim objektiva specifikë për të cilët flisnim dhe konteksti ynë ishte krejtësisht i ndryshëm nga ai që është tani. Në fillim nuk mund të përfaqësonim një vend pasi i yni nuk ekzistonte, nuk kishte Kosovë të njohur globalisht. Kam përfaqësuar Shqipërinë si kadete dhe më pas IJF-në. Por në vitin 2009 filluam si Kosovë për herë të parë”.

Fituesja e shumë medaljeve evropiane thotë se vazhdon të punoj me seriozitetin më të madh, duke pasur parasysh se xhudoja i ka dhënë mundësinë që të jetë ajo që është. Shton se do të jetë përgjithmonë falënderuese ndaj këtij sporti, e në veçanti ndaj trajnerit Kuka.

“Karakteri im ishte gjithmonë aty. Por kur i shtohej trajneri, në një mjedis ku nuk kishte vend për dikë që donte ta bënte xhudo vetëm për argëtim; ishte një program serioz dhe ky ishte kombinimi kuptimplotë. Xhudistja duhet të vendosë të pranojë gjithë stërvitjen. Toni është shumë garues dhe na ka stërvitur që të punojmë kështu dhe të mendojmë në këtë mënyrë. Ai e vazhdoi atë që unë tashmë isha”, shton Gjakova.

“Ndoshta nuk ka pasur ende kohë që të ketë efekt nga fitimi i medaljes së artë olimpike. Xhudo nuk pyet nëse je kampion olimpik. Kur je në tatami je i barabartë me të gjithë, kështu që unë duhet të stërvitem siç kam bërë më parë. Duhet të shijoj procesin. Unë jam mirënjohëse që kam mundësinë të jetoj në një mënyrë që shumica e njerëzve nuk munden ose ndoshta nuk e kanë mundësinë. E di që nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe kështu vazhdoj me mirënjohje. Ndoshta asgjë tjetër nuk mund të na shtyjë të kalojmë aq shumë sa xhudo dhe kështu unë jam vërtet mirënjohëse për këtë. Vazhdoj të punoj shumë dhe të shtyj veten sepse kjo është ajo që më pëlqen më shumë”.