Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

38-vjeçari Bunjaku nuk ndalet, firmos për skuadrën gjermane që e vlerëson aset

Albert Bunjaku nuk e ka ndërmend t’i jap fund karrierës si futbollist. 38-vjeçari ka firmosur për klubin e ligës regjionale gjermane, Bonner. Bunjaku së fundi ishte pjesë e Viktoria Koelnit në kategorinë e tretë gjermane. Liga regjionale është niveli i katërt i futbollit gjerman.

Bunjaku ka firmosur deri në fund të edicionit aktual. Karriera e tij është e madhe. Ka luajtur për Zvicrën e për Kosovën. I ka plot 48 ndeshje në Bundesligë, ndërsa ka realizuar 13 gola. Në Bundesliga 2 i ka 71 ndeshje e 16 gola.

Te Viktoria kishte shënuar 42 gola në 97 ndeshje, ndërsa ishte vendimtar në promovimin e skuadrës në kategorinë e tretë gjermane.

“E njoh shumë mirë Albertin nga koha ime te Viktoria. Jam shumë i lumtur që mund ta forcojmë sulmin tonë me këtë transfer. Me përvojën e tij, Alberti është aset dhe do të na ndihmojë në garën për ekzistencë”, ka thënë drejtori sportiv i Bonnerit, Daniel Zillken.

Bunjaku ka luajtur për skuadra si Schaffhauseni, Paderborni, Erfurti, Nurnbergu, Kaiserslauterni, St. Galleni, Erzgebirge Aue e Viktoria Koelni.