Sport

Krasniqi takohet me kryetarin e Prishtinës, Ramën për meçin e 5 gushtit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar është takuar me boksierin e njohur kosovar, Robin (Haxhi) Krasniqi të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Krasniqi do të boksojë më 5 gusht në “Fadil Vokrri”. Për Krasniqin do të jetë meçi i parë në Kosovë.

“Robin Krasniqi vjen për herë të parë në stadiumin e kryeqytetit! Mbrëmje historike e boksit: Më 5 gusht, stadiumi ‘Fadil Vokrri’ do të mbushet me adrenalinën e një eventi historik, të një nate të paharrueshme të boksit profesional ndërkombëtar. Përgatitumi për një spektakël të jashtëzakonshëm”, ka shkruar Rama në Facebook.

Krasniqi 36-vjeçar është boksieri më i suksesshëm profesionist shqiptar. Në ringun profesionist ka 52 fitore (20 KO) dhe shtatë humbje. Ai në Prishtinë do të boksojë për një titull në kategorinë gjysmë të rëndë. Krasniqi kishte fituar titullin e përkohshëm të botës në këtë kategori në versionin WBA. Ndërsa ka boksuar edhe dy herë tjera për tituj të botës në versionet e mëdha, dhe një herë në meç eliminator.

Së fundi boksoi më 25 shkurt në Mynih, ku e mposhti me ndërprerje në rundin e pestë rusin me shtetësi belge Timur Nikarkhoev.