1 perditesime
16:53

Baras në “Fadil Vokrri” mes Prishtinës dhe Gjilanit

Prishtina dhe Gjilani kanë marrë nga një pikë nga ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” të dielën në Prishtinë. Ky ballafaqim u mbyll pa gola, ndërsa i takoi xhiros së 33-të të elitës së futbollit të Kosovës. Rastet më të mira për shënim i pati skuadra e Prishtinës, që rrezikoi në pjesën e parë me Shefit Shefitin, Mërgim Pefqelin e Hasan Hysenin, por asnjëri nga ta nuk arriti ta mposhtte portierin Enea Koliçi.

Nga ana tjetër, te Gjilani, futbollisti më i rrezikshëm ishte Mevlan Zeka. Nga minuta e 78-të, Gjilani luajti me një futbollist më pak në fushë, për shkak se me kartonin e dytë të verdhë u ndëshkua Arbnor Ramadani.

Gjilani mbetet në pozitën e tretë me 51 pikë, kurse Prishtina në pozitën e katërt ka 44 pikë, aq sa ka edhe Dukagjini në vendin e pestë. Në xhiron e 34-t, Prishtina udhëton te Malisheva, kurse Gjilani zhvillon derbin lokal kundër Dritës.

15:49

Prishtina dominon por nuk konkretizon

Prishtina ka dominuar në pjesën e parë të duelit të xhiros së 33-të të elitës së futbollit të Kosovës përballë Gjilanit.

“Bardhekaltrit” patën një numër të madh të rasteve duke rrezikuar me Endrit Krasniqin, Shefit Shefitin, Mërgim Pefqelin e Hasan Hysenin, por merita që rezultati pas pjesës së parë mbeti 0:0, pati edhe portieri i Gjilanit, Enea Koliçi. Koliçi bëri disa pritje të mira.

Edhe futbollistët e Gjilanit dolën herë pas here në sulm për të konkretizuar, por nuk ia arritën qëllimit. Mevlan Zeka ishte lojtari më i rrezikshëm për mbrojtjen vendëse.