Sport

MLS-ja po sfidon Brazilin për talentet e Amerikës së Jugut

Një forcë e re është në skenë dhe kërcënon fuqinë e ligës braziliane për të tërhequr talentet më të mira të futbollit të Amerikës Latine: “Major League Soccer”.

MLS-ja e Amerikës së Veriut ka zëvendësuar tashmë Argjentinën dhe Meksikën, si sfiduesit kryesorë të hegjemonisë së Brazilit. Kjo është pjesërisht falë një ndryshimi të strategjisë. Në vend që të përpiqet të tërheqë vëmendjen duke nënshkruar me emra yjesh nga ligat evropiane që kërkojnë pagesa para daljes në pension, MLS-ja tani po garon për perlat e reja të Amerikës Latine që do të shkonin në Brazil gjatë rrugës për në Evropë. Është një taktikë që jo vetëm ka përmirësuar nivelin e një lige të themeluar vetëm në vitin 1996, por edhe sjell fitime kur skuadrat evropiane vijnë duke kërkuar talentet.

“Është pjesë e vizionit që MLS të shndërrohet në një nga ligat e mëdha të nivelit botëror”, tha Alfonso Mondelo, drejtor i garave të MLS-së.

Që nga viti 2021, MLS është liga që ka shpenzuar më shumë për tarifat e transferimeve në Amerikë, sipas analizave mbi raportet e transferimeve të ofruara nga organi qeverisës i futbollit botëror FIFA. Në vitin 2021, MLS shpenzoi 159.9 milionë dollarë për transferime: tri herë më shumë se Brazili, pesë herë më shumë se Meksika dhe 11 herë më shumë se Argjentina. Në vitin 2022, kur tri ligat e tjera po rikuperoheshin nga pandemia, MLS-ja sërish shpenzoi më shumë para në transferime. Këto shifra janë ende shumë larg Premier Leagues angleze, ku klubet shpenzuan pothuajse 900 milionë dollarë vetëm në afatin kalimtar të janarit.

“Në vitet e para të MLS-së thuajse duhej të luteshin lojtarët të vinin, tani ata na kontaktojnë”, tha Mondelo.

Në shkurt të vitit 2022, Atlanta United i pagoi 16 milionë dollarë klubit argjentinas Velez Sarsfield për Thiago Almadan.

“Dua të kem një sezon të mirë dhe të kem mundësinë të shkoj në Evropë”, tha ai në atë kohë.

Dhjetë muaj më vonë, ai u bë lojtari i parë aktiv i MLS-së, që fitoi Kupën e Botës. Almada, tani 21 vjeç, ka qenë një sensacion këtë vit, duke shënuar disa gola mahnitëse për klubin e tij dhe javën e kaluar shënoi golin e parë ndërkombëtar në paraqitjen e tretë për Argjentinën.

Përpara Almadas, Atlanta bleu paraguaianin Miguel Almiron nga Lanusi i Argjentinës dhe e shiti te Newcastle United tre vjet më vonë. Por skuadrat amerikane kanë ende shumë për të arritur në fushën e lojës. Ato kanë fituar garën kryesore të CONCACAF-it vetëm tri herë, krahasuar me 37 triumfe nga ekipet meksikane.

“Është e rëndësishme që së pari të bëhemi liga më e rëndësishme në CONCACAF – sfida jonë e radhës – dhe më pas të shohim se si mund të arrijmë në nivelin e ligave më të mira në botë”, tha Mondelo.

Brazili ka ende atë që kërkon MLS-ja: dominimin kontinental. Flamengo dhe Palmeiras kanë fituar katër titujt e fundit të Copa Libertadores. Pavarësisht se skuadrat vuajnë nga vështirësitë financiare, Brazili është një linjë kryesore e prodhimit të lojtarëve të talentuar, duke i lejuar klubet të ndërtojnë skuadra garuese. Brazilianët kanë arritur gjithashtu të tërheqin yje në muzgun e karrierës së tyre, si Luis Suarez i Uruguait, Arturo Vidal i Kilit dhe Marcelo i Brazilit. Ekipet braziliane fitojnë më shumë nga shitje se klubet tjera në Amerikë.

Në vitin 2022, liga braziliane shiti 998 lojtarë për 267.2 milionë dollarë, pothuajse aq sa Argjentina (146.6 milionë dollarë) dhe MLS-ja (135.2 milionë dollarë) së bashku, sipas FIFA-s. Por kjo shifër ishte 30 për qind më pak se në vitin 2018, pavarësisht se shiti 166 lojtarë më shumë.

Ka akuza se klubet braziliane dështojnë të shesin në kohën optimale dhe klubet evropiane gjuajnë pa leje talentet braziliane në mosha gjithnjë e më të reja. Problemi për klubet argjentinase është i njëjti që prek të gjithë vendin: mungesa e dollarëve, që përdoren në transferimet ndërkombëtare dhe inflacioni i lartë. Skuadrat argjentinase shpenzuan 20 për qind më pak për transferime në vitin 2022 krahasuar me 2018. Të rinjtë shpresëdhënës që vinin nga vendet e tjera të Amerikës së Jugut tani po shkojnë drejt Brazilit dhe MLS-së.

“Argjentina nuk është një ligë tërheqëse, përveç River Plates dhe Boca Juniorsit”, tha specialisti i transferimeve, Jaime Rascon.

Klubet e huaja janë gjithashtu të kujdesshme për shitjen e lojtarëve në Argjentinë, pas disa problemeve me mospagesat.

“Të bësh biznes me Shtetet e Bashkuara është bërë fokusi kryesor”, tha Ramiro Ruiz, president i ekipit kolumbian Envigado.

Ky klub e shiti kolumbianin James Rodriguez te Banfieldi i Argjentinës në vitin 2008, prej nga ai kaloi në Evropë.

Por Envigado e shiti xhevahirin e fundit, sulmuesin Jhon Jader Duran, te Chicago Fire, i cili më pas e dërgoi në Aston Villa në janar për gati 18 milionë dollarë. Klubet argjentinase shpesh shesin lojtarët kryesorë të rinj direkt në klube të mëdha evropiane, siç është transferimi i Julian Alvarezit në Manchester City nga River Plate për 21.4 milionë euro.