Philadelphia 76ers ia ka zbehur Dallas Mavericksit gjasat për të arritur në plejofin e ligës NBA. Maverics, që ishte finalist i Konferencës së Perëndimit në vitin 2022, pati epërsi prej 12 pikëve në pjesën e parë, por 76ers u kthye në lojë për të fituar 116:108. Joel Embiid realizoi 25 pikë. Dallasi është në vendin e 11-të në Konferencën e Perëndimit. Gjashtë vendet e para shkojnë direkt në plejof, kurse nga vendi i shtatë deri në vendin e 10-të luajnë mes vete për t’i përcaktuar edhe dy skuadra që do të bashkohen në plejof. Në duelet tjera Phoenix Suns mposhti Minnesota Timberwolvesin, në rikthimin e Kevin Durantit.
Pasi debutoi në ndeshjen në shtëpi për Sunsin pas 10-të ndeshjeve për shkak të lëndimit në nyjën e këmbës, Durant realizoi 16 pikë, tetë kërcime dhe katër asistime në 29 minuta, në fitoren 107:100. Devin Booker realizoi 29 pikë. Sunsi është në vendin e katërt në Konferencën e Perëndimit, ndërsa Timberwolvesi është në vendin e shtatë. Sacramento Kings është në vendin e tretë dhe e ka të garantuar vendin për plejof. Do të jetë plejofi i parë në 17 vjet.
Kings mposhti Portland Trail Blazers me rezultatin 120:80. Jrue Holiday realizoi më së shumti pikë në karrierën e tij, 51 gjithsej, ndërsa Giannis Antetokounmpo e shënoi “triple-doublen” e pestë të sezonit. Milwaukee Bucks është lider në Konferencën e Lindjes, ndërsa fitoi 149:136 ndaj Indiana Pacersit. Fitorja e New York Knicks 101:92 në shtëpi përballë Miami Heatit mbeti në hijen e lëndimit të Julius Randle, që dëmtoi nyjën e këmbës.
Anthony Davies shënoi 38 pikë dhe 10 kërcime, ndërsa LeBron James shtoi 25 pikë në fitoren e Los Angeles Lakersit kundër Chicago Bullsit, 121:110. Tani kalifornianët janë në vendin e tetë në Konferencën e Perëndimit, bashkë me New Orleans Pelicans. Russell Westbrook shënoi 36 pikë e 10 kërcime në fitoren e Clippersit ndaj Memphis Grizzliesit, që e ndali serinë e shtatë fitoreve të njëpasnjëshme. Brooklyn Netsi ia shkaktoi Houston Rocketsit disfatën e shtatë rresht. Oklahoma City Thuner mposhti Detroit Pistonsin, kurse Utah Jaz fitoi ndaj San Antonio Spursit. Talen Horton-Tucker shënoi 41 pikë. Sezoni i rregullt mbyllet të dielën më 9 prill.