Palestra “Minatori” është stërmbushur me shikues të dielën mbrëma. Atmosfera ishte e zjarrtë, ndërsa tifo-grupi mitrovicas “Torcida” ka festuar 39-vjetorin e themelimit. Por festën paksa e ka prishur humbja e Trepçës nga Peja. Peja triumfoi me rezultatin 73:70 në derbin e xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Në fund ka pasur fishkezjarrë, por vetëm për ditëlindjen e Torcidës.
Ndeshja ishte dramatike dhe e hapur deri në fund. Vendasit kanë kërkuar barazimin në minutat e fundit, por pa sukses. Trepça ka fituar çerekun e parë me rezultat 23:18. Në çerekun e dytë u kthyen pejanët, duke triumfuar 20:13. Peja vazhdoi me lojë të mirë edhe në çerekun e tretë të cilin e fitoi 25:16, për epërsi të lartë. Trepça u afrua në çerekun e katërt, por jo mjaftueshëm.
Peja ka vazhduar me fitore nën urdhrat e trajnerit izraelit Rami Hadar. Qendra Brad Waldow ka shkëlqyer me 11 pikë e plot 20 kërcime. Lary Thomas i kishte dhjetë pikë, dhjetë kërcime e pesë asistime, ndërsa kapiteni Arti Hajdari realizoi 17 pikë. Trepçës nuk i mjaftoi paraqitja e mirë e Jamal Artisit, që ndeshjen e përfundoi me 19 pikë e nëntë kërcime. Will Daniels realizoi 17 pikë e 14 kërcime. Trepçës i mungoi qendra Andrew Gordon dhe mungesa e tij u vërejt. Peja i ka 45 pikë, sa edhe Golden Eagle Ylli. Trepça mbetet e katërta me 41 pikë. Deri në fund të stinorit të rregullt kanë mbetur edhe dy xhiro. Peja do të luftojë për pozitën e parë me Prishtinën e Yllin, ndërsa Trepça me shumë mundësi do të startojë prej pozitës së katërt.