Sport

Mediat serbe për Xhakën e Shaqirin: Po vijnë provokuesit

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri do të qëndrojnë dy ditë në Beograd dhe Novi Sad me përfaqësuesen e Zvicrës në futboll. Por, askush nuk do të mund t’i shikojë nga afër, shkruan të mërkurën sajti serb “alo.rs”.

Zvicra më 25 mars e luan në Novi Sad ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2024 kundër Bjellorusisë.

Bjellorusia është nikoqire në Novi Sad, pasi nuk lejohet të organizojë ndeshjet në territorin e saj për shkak të përfshirjes në pushtimin rus të Ukrainës.

Kjo ndeshje i takon grupit I të eliminatoreve për “Euro 2024”.

“Ndeshja do të jetë e mbyllur për publikun, me vendim të UEFA-s. Edhe akreditimi për gazetarë nuk do të jetë i mundur. Policia do të jetë rreth stadiumit dhe do të parandalojë çdo grumbullim pranë stadiumit 'Karagjorgje' në Novi Sad”, ka shkruar sajti serb.

Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka kanë dërguar dy herë Serbinë në shtëpi nga Botërori.

Në “Rusia 2018” e “Katari 2022” ishin pre e fyerjeve të huliganëve serbë, por janë përgjigjur në mënyrën më të mirë – me sukses në fushën e lojës.

Treshja Shaqiri – Xhaka – Ardon Jashari ka çmendur serbët në Katar. Shaqiri shkëlqeu në fushë, Xhaka pati po ashtu ndeshje të madhe, ndërsa Jashari ia dha fanellën Xhakës për të festuar në fund.

Në grup me Zvicrën e Bjellorusinë janë edhe Kosova, Izraeli dhe Andorra.

Bjellorusët ende nuk kanë vendosur se ku do ta organizojnë ndeshjen e 19 qershorit kundër Kosovës. Është e qartë se nuk do të luhet në territorin e Serbisë.

Ndonëse do të ketë shumë policë e sigurim, është pak e mundur që Xhaka e Shaqiri të kalojnë mirë në Serbi. Provokimet e ndryshme ndaj tyre priten.

“Po vijnë provokuesit: Xhaka dhe Shaqiri vijnë në Serbi, policia do t’i ruajë në secilin hap”, ka shkruar sajti tjetër serb “espreso.rs”.