Sport

Federata Evropiane nuk fajëson Qipron për karateistët, thotë se Kosova u tërhoq njëanshëm

Federata Evropiane e Karatesë vlerëson se Kosova ka hequr dorë nga pjesëmarrja në Kampionatin Evropian për të rinj që javën e kaluar u mbajt në Larnaca të Qipros. EKF-ja nuk vlerëson se ka pasur diskriminim ndaj përfaqësueses së Kosovës, ndonëse ajo nuk u lejua të paraqitej me simbole shtetërore në Evropian, si të gjitha përfaqësueset e tjera.

Në vend të flamurit të Kosovës, autoritetet qipriote në sallë kishin vendosur një flamur të bardhë ku shkruante “Kosovo Karate Federation”. Po ashtu, sipas Federatës kosovare të karatesë, autoritetet qipriote kishin vendosur që në rast të fitores së karateistëve kosovarë, të mos intonohej himni i Kosovës, e po ashtu nuk do të shfaqej as flamuri. Në kushte të tilla diskriminuese u vendos që të mos merret pjesë në Evropian, ndonëse një ekip prej gati 50 personash kishte udhëtuar për në Larnaca.

Sipas Federatës kosovare, vendimin e Qeverisë së Qipros e ka pranuar EKF-ja.

Por ndryshe thotë kryetari i EKF-së, Antonio Espinos, që është edhe kryetar i Federatës Botërore të Karatesë. Sipas tij, EKF-ja është angazhuar që sportistët kosovarë të lejohen të hyjnë në Qipro. Espinos ka thënë se Federata kosovare më herët e ka ditur për çështjen e flamurit, para udhëtimit për në Qipro.

“Si zakonisht, EKF-ja ka punuar intensivisht me Komitetin Organizativ Lokal për të siguruar që të gjitha federatat nacionale të kenë kushtet e duhura për të marrë pjesë në këtë ngjarje”, ka thënë spanjolli Espinos për “insidethegames.biz”.

“Në rastin e Kosovës, EKF-ja ka bërë aranzhimet për t’u siguruar që ata (garuesit e Kosovës) t’i merrnin vizat për të udhëtuar në Qipro. Pas udhëzimeve të Qeverisë së Qipros, që nuk e njeh Kosovën si shtet, delegacionit të Kosovës iu lejua të garojë me flamurin e Federatës së Karatesë së Kosovës. Federata kosovare u informua për këtë çështje në përputhje me rrethanat, përpara udhëtimit për në Qipro”, ka theksuar Espinos.

Kryetari i Federatës Evropiane në një mënyrë i ka bërë përgjegjës drejtuesit e karatesë kosovare për mbetjen jashtë Evropianit.

“Ishin përfaqësuesit e FKK-së, pas arritjes në Qipro që vendosën në mënyrë të njëanshme të mos marrin pjesë në këtë ngjarje, pavarësisht përpjekjeve dhe ndërmjetësimit të EKF-së”, ka theksuar Antonio Espinos.

Drejtuesit e karatesë kosovare kishin theksuar se pasi kishin shkuar në Qipro kishin kuptuar se nuk do të mund të garonin të barabartë me delegacionet e tjera.

Kosova është e pranuar me të drejta të plota në EKF dhe WKF. Por kjo po del të mos jetë e mjaftueshme për të garuar me trajtim të barabartë në të gjitha vendet.

Karateistët më parë janë diskriminuar edhe në Serbi e në Spanjë. Diskriminimet ndaj sportistëve kosovarë ndodhin herë pas here.