Sport

Problemet e Cityt nuk janë vetëm jashtë fushës

Pep Guardiola kishte mjaftueshëm arsye për t'u shqetësuar edhe para se Manchester City të përfshihej në ndoshta skandalin më të madh në histori të Premier Leagues. Jashtë fushës, City po përballet me akuzat se klubi ka shkelur një sërë rregulloresh financiare me shpenzimet e tij luksoze. Në fushë, Guardiola përballet me betejën për të mbrojtur titullin e Premier Leagues dhe për të mbajtur sezonin e ekipit të tij në rrugën e duhur.

Ndërsa pozita e Cityt në renditje mbetet mjaft e mirë, në vendin e dytë dhe pesë pikë prapa liderit Arsenalit, humbja e së dielës nga Tottenhami ushqeu një ndjenjë në rritje se gjithçka nuk është në rregull brenda klubit. Kjo ndjenjë ishte edhe para “aksionit bombë” të së hënës nga Premier League. Në të vërtetë ka pasur një ndjenjë shqetësimi dhe pasigurie rreth klubit për pjesën më të madhe të sezonit. Erling Haaland po bëhet gjithnjë e më shumë një pikë e shqyrtimit kur përpiqet të deshifrojë se çfarë po shkon keq në City.

“Erlingu ka qenë fantastik. Askush nuk thotë asgjë kur ai shënon gola dhe fiton”, tha mbrojtësi i Cityt, Kyle Walker. “Papritur tani kur ne nuk fitojmë dhe ai nuk shënon, ata thonë: ‘A është ai problemi? A luajmë më mirë pa të?’ E dëgjoj gjatë gjithë kohës”.

Walker ka të drejtë ndoshta, por komentet e tij sugjerojnë gjithashtu se dyshimet nga jashtë klubit po depërtojnë te lojtarët. Haaland ka qenë i jashtëzakonshëm duke shënuar 31 gola në 27 ndeshje. Megjithatë, City është bërë ekip më i parashikueshëm si rezultat i të pasurit të një objektivi kaq të spikatur në qendër të sulmit.

Vitet e fundit Guardiola është mbështetur në golat nga e gjithë skuadra, duke e bërë më të vështirë për mbrojtjen e kundërshtarëve mbylljen e zonave të kërcënimit. Ndërsa totali i 53 golave të Cityt pas 21 ndeshjeve është identik me bilancin në të njëjtën pikë sezonin e kaluar, skuadra ka marrë tetë pikë më pak. Edhe me afrimin e Haalandit, City po e ka më të vështirë të fitojë ndeshje. Ka tri fitore më pak se në këtë fazë sezonin e kaluar.

Problemet, megjithatë, nuk qëndrojnë vetëm mbi supet e Haalandit. Ai ofron shifra të jashtëzakonshme përpara portës. Dhe Guardiola duket i fokusuar në beteja të tjera të skuadrës së tij. Muajin e kaluar ai vuri në dukje se një ekip që ka fituar katër nga pesë titujt e fundit të ligës ka humbur avantazhin e tij.

“Ne jemi shumë larg skuadrës që kishim në sezonet e mëparshme”, tha Guardiola. “A mendoni se ne do ta mbajmë hapin me Arsenalin, ashtu siç po luajmë? Në asnjë mënyrë”.

Me një skuadër të mbushur me lojtarë të klasit botëror, Guardiola ka luksin të lërë jashtë disa nga emrat më të mëdhenj në një përpjekje për të freskuar gjërat. Phil Foden, një nga talentet më të ndritura në Evropë, ka qenë figurë periferike këtë sezon. Ruben Dias, lojtari më i mirë i vitit në Angli dhe mbrojtësi më i mirë në Ligën e Kampionëve në vitin 2021, nuk ka nisur asnjë ndeshje në ligë që nga tetori. Joao Cancelo u huazua te Bayern Munichu në ditën e fundit të afatit kalimtar pasi u ul në stol në javët e fundit. Megjithatë, më e veçanta nga të gjitha ishte vendimi për të ulur në stol Kevin De Bruynen kundër Tottenhamit. Guardiola është i njohur për vendimet e papritura, por largimi i De Bruynet nga një ndeshje kaq e rëndësishme ishte një vendim i madhe që rezultoi i gabuar, pasi City humbi 1:0 dhe humbi mundësinë për të zvogëluar epërsinë e Arsenalit në dy pikë.

Guardiola duket se po kërkon mënyra për të marrë një reagim nga skuadra e tij në një pikë të sezonit kur ka ende gjithçka në lojë. Largimi i Cancelos dhe lënia në stol e De Bruynet duken si përpjekje drastike për të shprehur mendimin e tij. Por gjithashtu ngrenë pikëpyetje se çfarë do të përpiqet të bëjë më pas. Guardiola është në vitin e tij të shtatë në City. Ai kurrë nuk ka qëndruar kaq gjatë në një klub, që kur është bërë trajner. Guardiola tani mund të duhet të mbikëqyrë rindërtimin më të gjerë të skuadrës që kur e mori për herë të parë në vitin 2016. Megjithatë, kjo është për të ardhmen. Tani për tani, City është ende në garë për të fituar tre trofe. Zgjidhja e problemeve jashtë fushës, megjithatë, mund të jetë shumë më e vështirë.