Sport

Po kalon në heshtje diskriminimi ndaj karateistëve kosovarë

Si në shumicën e rasteve, diskriminimi ndaj sportistëve kosovarë po kalon në heshtje. Së fundi karateistët ishin viktimë e diskriminimit nga shteti i Qipros dhe që u pranua nga Federata Evropiane e Karatesë.

Prej të premtes deri të dielën në Larnaca të Qipros është mbajtur Kampionati i 50-të Evropian i karatesë për kadetë, juniorë dhe për garues deri në moshën 21-vjeçare. Në këtë ngjarje është dashur të paraqiten mbi 30 garues të Kosovës. Shumë prej tyre kanë synuar medalje.

Ata kanë udhëtuar për në Larnaca, por nuk kanë garuar. Dhe të dielën janë nisur për në shtëpi të dëshpëruar.

Në fakt, Qeveria e Qipros kishte vendosur se garuesit e Kosovës mund të garojnë duke u paraqitur si përfaqësues të “Federatës së Karatesë së Kosovës” e jo si garues të Kosovës. Madje në vend të flamurit të Kosovës në palestër ishte vendosur një arnë ku ishte shkruar “Kosovo Karate Federation”. Nuk është lejuar të shfaqet flamuri i Kosovës e po ashtu nuk do të intonohej himni nëse do të fitoheshin medalje të arta.

Vendimi i Qeverisë së Qipros është pranuar nga Federata Evropiane e Karatesë. Bordi i EKF-së kishte mbajtur mbledhje në Larnaca. Dhe pas mbledhjes, drejtuesit e EKF-së u kishin thënë drejtuesve të federatës kosovare se mund të garojnë vetëm duke respektuar qëndrimin e autoriteteve qipriote.

Por drejtuesit e federatës kosovare, trajnerët dhe karateistët nuk pranuan diskriminimin dhe vendosën të heqin dorë nga gara. Garat ku është dashur të marrin pjesë i kanë përcjellë nga tribunat.

“Jemi nisur për Kosovë. Dëshpërimi është i madh. Nuk ka asnjë reagim për diskriminimin që na kanë bërë”, ka thënë për KOHËN, Avni Gashi, kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës.

KOHA i ka shkruar të premten federatës evropiane dhe federatës botërore të karatesë, që kanë një drejtues. Por nuk ka marrë përgjigje. Në faqet zyrtare të këtyre dy asociacioneve nuk është shkruar ndonjë fjalë për mbetjen jashtë të garuesve të Kosovës.

Kosova është anëtare me të drejta të barabarta si në EKF ashtu edhe në WKF. Por kjo nuk ka garantuar paraqitjen e barabartë në Evropianin në Qipro.

Prej institucioneve të vendit ka reaguar vetëm Komiteti Olimpik i Kosovës.

Dhe me shumë mundësi, si diskriminimet e kaluara, edhe ky ndaj karateistëve do të kalojë pa ndonjë masë ndaj nikoqirit.