Trepça e ka ndërprerë serinë pozitive të Yllit në elitën e basketbollit të Kosovës.
Kampioni në fuqi i Kosovës, Golden Eagle Ylli, që kishte seri prej 15 fitoreve të njëpasnjëshme në Superligë, të shtunën është mposhtur në derbin e xhiros së 20-të në palestrën e stërmbushur në “Minatori”.
Trepça fitoi ndaj Yllit me rezultatin 69:67, dhe dueli u vendos krejt në fund.
Ishte fitorja e dytë rresht për trajnerin e ri të Trepçës, turkun Engin Gençoglu.
E dyta erdhi ndaj skuadrës që në stinorin vjeshtor, kishte fituar dy herë ndaj mitrovicasve.
Trepça në çerekun e dytë pati shkëputje edhe deri në 16 pikë.
Por në fund të periudhës së dytë, Ylli e ngushtoi epërsinë në vetëm gjashtë pikë.
Çereku i tretë ishte thuajse i barabartë, ndërsa ndeshja u vendos në sekondat e fundit të ndeshjes.
Andrew Gordon i Trepçës realizoi pas depërtimit 5.3 sekonda pa përfunduar i gjithë dueli për rezultatin 69:67.
Rashun Davis tentoi në aksionin e fundit nga tri pikë, por gjuajtja e tij nuk ishte e saktë dhe ndeshja u mbyll me fitoren e Trepçës.
Gordon ishte më i miri te Trepça me 22 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime.
Ëill Daniels pati 15 pikë, nëntë kërcime e tri asistime, kurse Drilon Hajrizi shënoi pesë pikë, shtatë kërcime e dy asistime.
Te Ylli me lojë të mirë u dallua Davis që shënoi 20 pikë, katër kërcime e tri asistime. Chris Harris shënoi pesë pikë, dhjetë kërcime e një asistim, ndërsa Valon Bunjaku e mbylli ndeshjen me 12 pikë, katër kërcime e tri asistime.
Trepça pas 20 ndeshjeve ka 31 pikë, ndërsa Ylli lider ka 35 pikë.