Sport

Drita e 89-shi paralajmërojnë se s'do ta votojnë statutin e ri nëse nuk bëhen ndryshime

Dy prej klubeve të Superligës, Drita dhe Trepça '89, të cilat publikisht njoftuan se nuk do ta votojnë statutin e ri të FFK-së, sapo kanë ardhur në selinë e Federatës.

Të dyja klubet kanë paralajmëruar se nëse nuk bëhen ndryshime në statut, atëherë nuk do ta votojnë. Madje, ato presin që edhe delegatët e skuadrave tjera mos ta votojnë, pasi insistojnë se është i dëmshëm për futbollin.

"Ne jemi këtu për të mirën e futbollit dhe licencimin e FFK-së nga Ministria. Presim që të bëhen ndryshime në statutin e ri, i cili ka shumë shkelje. Nëse nuk bëhen ndryshime, ne si klub nuk do ta votojmë", ka paralajmëruar kryetari i Trepçës '89, Abedin Zeka.

I mendimit të njëjtë me Zekën ishte edhe drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi. Madje, ai ka thënë se ka edhe klube tjera që janë kundër këstin statuti të ri për të cilin FFK-ja ka ftuar mbajtjen e kuvendit të jashtëzakonshëm. "Ne kemi vërejtur shumë shkelje në statut dhe sigurisht që kemi reaguar.

Tani, jemi këtu për të parë që të ndryshohet ai statut, në të cilin ka shumë shkelje. Nëse ndryshohet për të mirën e futbollit, sigurisht se do ta votojmë.

Në të kundërtën, jo vetëm ne, por ka edhe shumë klube tjera që nuk kanë dalë publikisht dhe nuk do ta votojnë", ka thënë Zymeri. Publikisht kundër Statutit të ri, ka dalë edhe skuadra e Prishtinës.