Sport

Botërori i magjishëm dëshmoi rritjen e mëtejme të futbollit

Shkelqimi - Katar - Boterori

Përralla e Lionel Messit në Kupën e Botës ndriçoi vitin në futboll, teksa heroizmat dhe zemërthyerja në finale magjepsën tifozët dhe nxorën në pah rritjen e sportit më të popullarizuar në botë.

Ligat evropiane kanë diktuar prej kohësh kalendarin global të futbollit. Por vendimi i organit qeverisës botëror të futbollit, FIFA, për të mbajtur Botërorin në Lindjen e Mesme për herë të parë në dimër rezultoi me një pauzë në mes të edicionit dhe disi tronditi futbollin e klubeve evropiane. Me ndeshjet e luajtura në stadiume me ajër të kondicionuar për të përballuar vapën e shtetit të shkretëtirës dhe pa birrë në stadium, spektatorët përjetuan një kupë bote si kurrë më parë.

“Ne e përmbushëm premtimin tonë, pasi organizuam njërin prej botëroreve më të jashtëzakonshëm në historinë e futbollit dhe për këtë do të mbahemi në mend”, u mburr emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani.

Finalja e 18 dhjetorit ofroi vazhdimisht momente emocionuese dhe përfundoi me Messin duke puthur trofeun e artë, që mungonte në koleksionin e tij të jashtëzakonshëm. Argjentina mposhti Francën me penallti në finale.

Duke luajtur në Kupën e pestë të Botës për Argjentinën, i pakrahasueshmi Messi edhe një herë i la të gjithë të mahnitur, ndërsa theu rekordet dhe ktheu shpresat e një vendi me ekonomi të dëmtuar, duke sjellë Kupën e Botës në shtëpi pas 36 vjetësh. Arritja e veçantë, e cila do të mbizotërojë diskutimet gjatë javëve të ardhshme, më në fund e nxori Messin nga hija e të ndjerit Diego Maradona dhe ringjalli debatin për më të madhin e të gjitha kohërave në futboll. Edhe pse Argjentina triumfoi në finale, ajo ishte një nga superfuqitë botërore që u shokua në Katar. Gjigantes së Amerikës së Jugut iu shkaktua një humbje e rëndë nga Arabia Saudite në ndeshjen e parë në grup, e cila u vlerësua si tronditja më e madhe në historinë e Kupës së Botës.

“Kampionati Botëror i Katarit do të mbahet gjatë në mend nga njerëzit. Të gjithë ishin spektikë para fillimit të turneut, por pastaj ata u bindën se FIFA me të drejtë ia besoi organizimin e ngjarjes më të madhe të futbollit për herë të parë një vendi në Lindjen e Mesme”, ka thënë sociologia Carole Gomez. “Të gjithë do të flasin për ndeshjet, finalen fantastike dhe rezultatet befasuese që ishin. Askush nuk do të merret me politikë apo çështjet e sigurisë për të cilat kritikohej Katari”.

Rezultatet befasuese

Rezultatet shokuese ishin temë diskutimi në Botëror. Ndër të tjera Japonia përfundoi e para në një grup, pjesë e të cilit ishin ish-kampionet e botës, Spanja e Gjermania. Edhe Koreja e Jugut avancoi përtej fazës së grupeve në “shpinë” të Uruguait që u eliminua pas tri ndeshjeve të luajtura në Katar.

Me çdo kontinent të përfaqësuar në 1/8 e finales së Kupës së Botës, faza më e larmishme e eliminimit në historinë e turneut ishte dëshmi e fortë e shtrirjes së sportit. Autsajderi Maroku injektoi energji të re në futbollin afrikan. Përfaqësuesja e trajnerit Walid Regragui pushtoi zemrat me qëndrimin “kurrë mos u dorëzo”, duke u bërë e para përfaqësuese afrikane dhe arabe që arrin në gjysmëfinale.

Ndërsa francezët bërtisnin në agoni pasi ishin aq afër mbrojtjes së titullit, trajneri Didier Deschamps tha se “një rezervuar i rëndësishëm talentesh” premton një të ardhme të ndritur për dy herë kampionen e botës. Sulmuesi francez Kylian Mbappe u kthye nga Katari me “Këpucën e Artë” të golashënuesit më të mirë. Ai shënoi “hat-trick” në finale dhe ia konfirmoi botës kalibrin e lartë përpara se të festonte ditëlindjen e 24-t. Mbappe, Botërorin e Katarit e mbylli me tetë gola të shënuara në shtatë ndeshje të luajtura. Cristiano Ronaldo gjithashtu pushtoi ballinat, ndonëse për arsye të ndryshme. Portugezi u largua me lot nga Botërori, pasi Portugalia u eliminua në çerekfinale, vetëm disa ditë pasi Manchester Unitedi ia shkëputi kontratën dhe i dha një lamtumirë të hidhur.

Në skenën e evropiane, disa muaj para Kupës së Botës, futbolli i klubeve pa Manchester Cityn dhe Bayern Munichun të ruajnë titujt e tyre, ndërsa Paris Saint-Germaini, Real Madridi dhe Milani mbizotëruan në ligat e tyre pasi humbën kontrollin në edicionin paraprak.

Kupa e Botës do të kthehet në periudhën e zakonshme qershor-korrik në vitin 2026, kur turneu do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada. Por mes spekulimeve se Arabia Saudite do të kandidojë për organizimin e Botërorit në vitin 2030, perspektiva e një turneu tjetër në mes të edicionit evropian mund të shfaqet përsëri.

“Ka një argument tjetër për një Kupë Bote dimërore", tha David Dein, ish-nënkryetar i Federatës angleze, i cili beson se turneu në Katar ka qenë një sukses. “E di që trajnerëve nuk do t'u pëlqejë sepse do të humbin lojtarët e tyre në një moment kritik. Por për vetë Kupën e Botës si turne madhor, lojtarët janë më të freskët. Nuk ka dyshim”.

Evropiani i futbollisteve

Ndërsa futbolli i meshkujve shijoi një vit argëtues, brenda dhe jashtë fushës, loja e futbollisteve pati gjithashtu momentet e paharrueshme, sidomos pasi Anglia fitoi Kampionatin Evropian.

Duke bërë atë që ekipi i tyre i futbollistëve nuk do të ishte në gjendje të bënte në Kupën e Botës, futbollistet e Anglisë ngritën trofeun para një shikueshmërie rekorde në stadiumin “Wembley” në Londër. Anglia e mundi Gjermaninë në finale.

Fitorja shënoi një ditë monumentale për futbollin anglez, ndërsa erdhi 56 vjet pasi ekipi i futbollistëve të Anglisë mundi Gjermaninë Perëndimore në finalen e Kupës së Botës 1966, që ishte i vetmi trofe i madh i mëparshëm i fituar nga një ekip senior i Anglisë për djem apo vajza.

Mbi të gjitha triumfi konfirmoi hapat e mëdhenj të bërë në futbollin e vajzave në Angli, ku Federata e Futbollit e ndaloi futbollin e vajzave për gati 50 vjet, që nga viti 1921.

“Euro 2022” ishte edicioni më i ndjekur i turneut dhe “Luaneshat” u panë shpesh në ekranet televizive dhe titujt e gazetave pas fitores historike, duke fituar njohjen dhe shikueshmërinë për të cilën kanë luftuar prej kohësh. Ngjarja rezultoi të jetë një sukses për Anglinë mikpritëse, pasi numri i tifozëve në kampionatin e futbollisteve u rrit 200 për qind në edicionin e kaluar, me një brez të ri fansash të etur për të parë futbollistet si Leah Williamson, Chloe Kelly, Beth Mead dhe heroinat tjera të Anglisë që luajtën në Evropian.