Sport

KOK-u nuk deklarohet për kërcënimin me padi të Halitit

Ndryshimet në Federatën e Notit të Kosovës (FNK) po vazhdojnë të kontestohen edhe pas tre muajsh pasi Besnik Halili u zgjedh kryetar në një kuvend ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë të MKRS-së. Grupi tjetër që pretendon se ende udhëheq FNK-në, të mërkurën ka reaguar sërish.

Astrit Haliti vazhdon ta cilësojë të paligjshëm mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor, që u monitorua nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në reagimin e Halitit, që veten e vlerëson kryetar legjitim, akuzohet, për siç ka thënë ai, veprime të paligjshme të presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, dhe sekretarit Besim Aliti. Në reagimin e Halitit thuhet se “bordi ekzekutiv nuk i ka njohur këto struktura sepse e dinë shumë mire se janë të kundërligjshme. Për këtë fakt KOK-u nuk e ka monitoruar këtë Kuvend të paligjshëm të Notit”.

Haliti ka parashtruar edhe tetë pyetje në adresë të bordit të KOK-ut. Ka kërkuar përgjigje rreth pyetjeve të parashtruara, në të kundërtën ka kërcënuar me padi në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

“Si është e mundur që presidenti e sekretari i KOK-ut të bëjnë veprime të tilla në kundërshtim me vendimet e bordit ekzekutiv? Pse bordi hesht, kë po e mbron ky bord? Bordi a është përfaqësues i federatave apo shkatërrues i tyre? Kur ka ndodhur në histori të KOK-ut të pranohen kuvende të paligjshme të federatave nga një president dhe sekretar i KOK-ut, e aq më pak kundër vendimeve të bordit? Si mundet pa iu hequr suspendimi FNK-së të njihet dikush tjetër si përfaqësues i federatës? A mund të na tregoni vendimin e bordit ekzekutiv se kur është tërhequr suspendimi i Federatës së Notit, vendim ky i marrë në maj të vitit 2022 nga bordi ekzekutiv i KOK-ut, me të cilin suspendohet FNK deri në Asamble të KOK-ut? Si mundet dikush nga KOK-u të bëjë kësi shkelje ligjore, ta njohë dikë tjetër si strukturë drejtuese të FNK-së, pa marrë vendim bordi për t’ia hequr këtë suspendim ose Asambleja e KOK-ut? Si mund të pretendohet nga dy drejtues të KOK-ut që të lihen jashtë federate 16 klube të notit dhe të favorizohen 12 kube, 6 prej të cilave nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e FNK-së?”, ishin pyetjet e Halitit, në të cilat ka kërkuar përgjigje nga KOK-u.

E në rast se nuk marrin përgjigje, Haliti insiston se do t’u drejtohet organeve gjyqësore për të gjetur zgjidhje.

“Në rast se nuk deklaroheni kundër këtyre shkeljeve, ne do ta padisim edhe bordin ekzekutiv të KOK-ut në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, si dhe do të përballeni me veprime të tjera ligjore dhe rezistencë aktive nga bordi i FNK-së, nga klubet e notit, nga prindërit e qindra fëmijëve që po tentoni t’i lini jashtë pishinave, e jashtë garave sportive të notit”, shkruan në reagimin e Halitit.

Haliti ka njoftuar se ai ka përfaqësuar FNK-në në Asamblenë e Përgjithshme që u mbajt nga 13 deri më 18 dhjetor në Melbourne të Australisë, ku, sipas tij, edhe njëherë dëshmoi se i njeh strukturat e dala nga Kuvendi Zgjedhor i FNK-së, i mbajtur në muajin mars të vitit 2021, ku kryetar u zgjodh Haliti. Për praninë e Halitit në Melbourne reagoi edhe grupi tjetër që pretendon se tashmë janë legjitim.

“Aty e kuptuam se presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, dhe sekretari i KOK-ut, Besim Aliti, i kanë shkruar FINA-s letër me të cilën i njoftojnë se i njohin strukturat e paligjshme të FNK-së të dala nga një Kuvend i paligjshëm për të cilin jeni të njoftuar tashmë. Na shqetëson fakti pse bordi ekzekutiv i KOK-ut nuk po reagon për veprimet e paligjshme të presidentit të KOK-ut, Ismet Krasniqi, dhe sekretarit të KOK-ut, Besim Aliti. Ne para disa dite ju kemi shkruar një letër, me të cilën ju kemi njoftuar se presidenti e sekretari i KOK-ut kanë dërguar një vendim zyrtar në emër të bordit se i njohin si persona përgjegjës disa individë që kundërligjshëm pa pasur kuorum kanë tentuar ta uzurpojnë Federatën e Notit të Kosovës, përmes një kuvendi të thirrur në mënyrë të paligjshme dhe pa pasur kuorum”.

Në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) nuk kanë dashur ta komentojnë reagimin e Halitit.