Afrika më në fund e ka një skuadër në gjysmëfinale të Kupës së Botës, njësoj si bota arabe.
Maroku dhuroi një tjetër moment shkëlqimi në historinë afër 100-vjeçare të turneut më të madh të futbollit, duke mposhtur Cristiano Ronaldon dhe Portugalinë e tij 1:0 të shtunën, në një tjetër rezultat shokues në Kupën e Botës që për herë të parë mbahet në Lindjen e Mesme.
Përderisa Ronaldo i përlotur hyri drejt në tunel – dhe ndoshta shkoi drejt pensionimit me përfaqësuesen e tij – pas vërshëllimës së fundit, lojtarët maroken hodhën trajnerin e tyre në ajër dhe valëvitën flamurin e shtetit të tyre, ndërsa më pas festuan pranë tifozëve të tyre.
“Më pickoni, jam duke ëndërruar”, tha portieri i Marokut, Yassine Bounou. “Maroku është gati të përballet me çfarëdo kundërshtari në botë. E kemi ndryshuar mentalitetin e gjeneratës që do të vijë pas nesh. Ata e dinë se lojtarët marokenë mund të krijojnë mrekulli”.
Youssef En-Nesyri e shënoi golin e fitores në minutën e 42-të për ta vazhduar rrugëtimin e pabesueshëm që ka frymëzuar botën arabe dhe ka shfaqur identitetin arab të tifozëve nga shtete të ndryshme.
Afrika po ashtu është në gëzim pasi më në fund një shtet ka avancuar në nivelin të cilin e kishin arritur vetëm ekipet evropiane apo ato të Amerikës së Jugut. Kameruni në vitin 1990, Senegali në vitin 2002 dhe Gana në vitin 2010, të gjitha arritën deri në çerekfinale, por jo më tutje.
37-vjeçari Ronaldo, një prej lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit nuk ishte titullar në këtë ndeshje, ndërsa u inkuadrua si zëvendësues në minutën e 51-të. Ai e humbi të vetmen shans për barazim që e pati në kohën shtesë.
Pesë herë futbollisti më i mirë në botë është pranë mbylljes së karrierës pa e fituar Kupën e Botës, ose pa arritur në finale. Ai u largua menjëherë pas vërshëllimës së fundit, ndërsa për pak çaste u ndal nga dy lojtarë maroken që shprehën dëshirën t’ia japin dorën dhe nga një tifoz pranë hyrjes në tunel. Ai qante derisa po hynte brenda në dhomat e zhveshjes.
Nëse ky është fundi i Ronaldos në nivel përfaqësuesesh, ai do ta mbyllë karrierën me 118 gola – rekord në futbollin e meshkujve – dhe me një titull të Kampionatit Evropian, por nuk e ka trofeun më të çmuar në futboll. Më së largu kishte shkuar në gjysmëfinale të Kupës së Botës në vitin 2006.
“Lojtarët tanë janë të shqetësuar”, ka thënë përzgjedhësi i Portugalisë, Fernando Santos, i cili iu shmang pyetjeve për të ardhmen e tij dhe shtoi se nuk është pishman që Ronaldo nuk ishte titullar. “Cristiano është lojtar i madh dhe ai u inkuadrua kur ne menduam se ishte e nevojshme. Por jo, nuk ka keqardhje”.
Nuk ka arsye pse kjo skuadër e Marokut – e drejtuar nga Walid Regragui, i cili u lind në Francë dhe përfshiu 14 lojtarë që u lindën jashtë vendit – nuk mund të shkojë deri te fitimi i trofeut. Ata dolën të parët në grup, para Belgjikës së vendit të dytë në renditjen botërore, dhe para gjysmëfinalistes aktuale, Kroacisë. Ndërkohë, eliminoi edhe dy gjigante të futbollit evropianë, Spanjën – pas ekzekutimit të penalltive në një të tetën e finales – dhe Portugalinë në çerekfinale.
“Ne kemi hyrë në librat e historisë”, ka thënë Regragui. “Ne e kemi bërë kontinentin dhe njerëzit tanë të lumtur dhe krenar”.
Mbrojtja e Marokut ende nuk ka pranuar gol nga ndonjë lojtar kundërshtar në Kupën e Botës të këtij viti – i vetmi gol që e ka pranuar ishte autogol – dhe e bllokoi skuadrën e Portugalisë që mposhti Zvicrën 6:1 në një të tetën e finales, duke hyrë në mesin e favoriteve për të triumfuar.
Në ndeshjen që u zhvillua me vërshëllimat e vazhdueshme të tifozëve dhe përkrahjes së zjarrtë të tifozëve marokenë, ekipi u mbështet ekskluzivisht në kundërsulme dhe shënoi një të tillë.
Një harkim nga e majta bëri që En-Nesyri të hidhej mbi portierin e Portugalisë, Diogo Costa, dhe mbrojtësin, Ruben Dias, për ta shtyrë topin në rrjetën e portës së zbrazët.
Ronaldo, që do të jetë 41-vjeçar në Botërorin e vitit 2026 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada, mezi preku topin deri në kohën shtesë kur doli prapa shpinës së mbrojtësve marokenë pas një topi të gjatë në drejtim të sulmit. Gjuajtja e tij përtokë u prit nga portieri Bounou, i cili nuk kishte shumë punë deri në atë kohë.
Zëvendësuesi Ëalid Cheddira u ndëshkua me karton të kuq te Maroku në fillim të kohës shtesë, pasi mori kartonin e dytë të verdhë në pak minuta.
Pasi qendërmbrojtësi i Portugalisë, Pepe, gjuajti jashtë nga afërsia në minutën e gjashtë të kohës shtesë, Ronaldo ra në gjunjë, i dëshpëruar.
Përderisa Lionel Messi do të luajë në gjysmëfinale me Argjentinën, futbollisti tjetër i madh i gjeneratës së tij, nuk do të jetë i pranishëm.
Cristiano Ronaldo është inkuadruar në fushë në ndeshjen ndaj Marokut, të cilën Portugalia po e humb 1:0.
Ronaldo u inkuadrua në minutën e 50-të. Ronaldo me këtë inkuadrim ka hyrë në histori të futbollit duke barazuar rekordin për më së shumti paraqitje në ndeshje ndërkombëtare. Ai po paraqitet për Portugalinë për herën e 196-të në karrierë, duke barazuar rekordin e sulmuesit të Kuvajtit, Bader Al-Mutawa.
Bashkë me të, në fushë u fut edhe Joao Cancelo.
U larguan Raphael Guerrero e Ruben Neves.
Maroku shtang Portugalinë në pjesën e parë
Maroku po shkon drejt një tjetër befasie në Kupën e Botës. Marokenët në pjesën e parë po fitojnë ndaj portugezëve me rezultatin 1:0.
Golin e vetëm në 45 minutat e parë e shënoi Youssuf En Nesyri, në minutën e 43-të. Fituesi i kësaj çerekfinaleje, do të luajë në gjysmëfinale të Botërorit kundër Anglisë apo Francës.
Maroku shënon
Youssef En Nesyri ka shfrytëzuar një dalje të gabuar të portierit portugez, për t’i dhënë epërsinë Marokut në fund të pjesës së parë.
Nis ndeshja Maroku – Portugalia
Ka nisur ndeshja mes Marokut dhe Portugalisë, e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Botës.
Takimi po luhet në “Al Thumama”.
Fituesi i kësaj ndeshje në gjysmëfinale përballet me Anglinë ose Francën.