Sport

Anglia gati për ta ndalur Mbappen dhe ta eliminojë Francën

Trajnerit të Anglisë, Gareth Southgate, dhe kapitenit Harry Kane të premten u është bërë një pyetje, ndërsa ata përgatiten të përballen me Francën në çerekfinalen e Kupës së Botës në Katar.

Si do ta ndalni Kylian Mbappen?

Kjo nuk është pyetje befasuese, pasi Mbappe është golashënuesi më i mirë i Botërorit me pesë gola dhe po shihet pasues i Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos si ylli më i madh i futbollit.

Çerekfinalja e fundit mes Anglisë dhe Francës luhet të shtunën mbrëma (20:00).

“Jam i sigurt se Anglia është përgatitur për t’u përballur me Mbappen. Por, Kyliani është në gjendje ta bëjë dallimin në fushë. Ai do të mbetet gjithmonë i tillë”, insistoi trajneri i Francës, Dider Deschamps.

Nuk ka kuptim që Franca të identifikohet vetëm me sulmuesin e saj edhe pse zhurma rreth Mbappes rritet për çdo ditë në Katar. Ai ka shënuar gola më shumë se katër vjet më parë në Rusi, ku Franca u shpall kampione e botës.

Në 1/8 e finales në Katar, Mbappe shënoi dy gola për ta mposhtur Poloninë me rezultatin 3:1. Edhe kapiteni i Francës, Hugo Lloris, ka thënë se presin shumë nga Mbappe kundër Anglisë, ndeshje që luhet në “Al Bayt Stadium” në Al Khor.

“Mbappe është i pakrahasueshëm dhe shumë i rëndësishëm për ne. Por, përballë kemi një ekip si Anglia që është gati për të fituar trofe. Ne do ta bëjmë të pamundurën për t’u siguruar se do të kualifikohemi në gjysmëfinale”, është shprehur Lloris.

Mirëpo tek Anglia besojnë se mund ta ndalin Mbappen. Si Southgate, ashtu edhe Kane kanë treguar se mbrojtësi Kyle Walker do të jetë përgjegjës për sulmuesin francez. Madje, Southgate ka thënë se lojtari i Manchester Cityt është plotësisht gati për sfidën me Mbappen.

“Mendoj se Kyle është gati për këtë sfidë, pasi po flasim për një lojtar cilësor që mund ta përballojë ballafaqimin me të. Mbappe është sulmues fantastik, kurse Franca një skuadër më cilësi në çdo pozitë. Didier Deschampsi ka krijuar një ekip që është shumë i fortë dhe i gatshëm për ta fituar ndeshjen në çdo moment”, ka paralajmëruar Southgate.

Walker do të ketë detyrën të përpiqet të kufizojë dëmin që Mbappe mund të shkaktojë në mbrojtjen e Anglisë dhe Kane beson se ai do të ketë mjaft sukses pasi do të ndihmohet edhe nga bashkëlojtarët.

“Mbappe tashmë e ka dëshmuar veten si një sulmues i jashtëzakonshëm dhe një kërcënim i vërtetë për çdo kundërshtar. Por Kyle ka përparuar shumë vitet e fundit dhe po luan në nivelet e larta. Kështu që ai është plotësisht gati për ndeshjen me Francën, por edhe duelet me Mbappen”, shtoi Harry Kane.

Anglia arriti në gjysmëfinale të Botërorit 2018 dhe në finalen e Kampionatit Evropian të vitit të shkuar. Anglia humbi 2:1 nga Kroacia në Rusi dhe pastaj edhe nga Italia pas penalltive në “Wembley” në Evropian.

Në dy ndeshjet, Anglia kaloi në epërsi, por nuk arriti të fitojë në fund. Në turneun e Katarit, Anglia ka luajtur shumë më mirë, me një stil më sulmues i cili ka bërë që të shënojë 12 gola në katër ndeshje. Southgate ka zgjedhur të luajë me katër mbrojtës në turne deri më tani, por mund të kalojë në një mbrojtje me pesë lojtarë në përpjekje për ta përballuar Mbappen.

“Anglia nuk ka dobësi dhe këtë duhet ta pranojmë. Më pëlqen shumë stili i lojës së Southgatet, ndonëse nuk vlerësohet aq shumë në vendin e tij. Anglia i ka shikuar katër ndeshjet tona dhe besoj se do të na kundërvihet. Por ne duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të aplikojmë lojën tonë që e kemi luajtur deri më tani”, u shpreh Deschamps. “Anglia është shumë e fortë dhe ka shënuar shumë gola me kundërsulme. Ka edhe shumë cilësi të tjera për sa i përket aftësisë teknike, aftësisë për të shënuar gola dhe të qenët të rrezikshëm në goditjet standarde. Nuk është rastësi që anglezët po përballen me ne në çerekfinale”.

Për dallim prej Francës, te Anglia janë të gatshëm edhe për të shkuar në penallti. Southgate ka konfirmuar se ka një plan për një situatë të tillë. Anglia të premten i ka stërvitur edhe penalltitë për të qenë sa më e përgatitur.

“E kemi planin për penallti, por shpresoj që ndeshjen ta përfundojmë më herët. Kam besim në ekipin tim. Megjithatë nuk duhet harruar se është një përballje e ekipeve më histori dhe të cilat gjithmonë synojnë trofe”, ka thënë Southgate.

Te Anglia të premten ka stërvitur edhe sulmuesi Raheem Sterling, i cili të enjten është ribashkuar me ekipin. Sterling në fillim të kësaj jave u largua nga Katari për t’u kthyer në Angli te familja e tij, pasi persona të maskuar i kishin hyrë në shtëpi. Sterling nuk dihet nëse do të aktivizohet kundër Francës, ndonëse Southgate tha se do ta shohë gjendjen e tij dhe do të vendosë në momentet e fundit.

Kapiteni i Francës, Lloris, e njeh mirë Anglinë pasi dekadën e fundit bën karrierë në Premier League. Ai është pjesë e Tottenhamit dhe bashkëlojtar me sulmuesin Harry Kane.

“Do të jetë një përballje e ekipeve të mëdha. Ne duhet të jemi të fortë për ta përballuar Anglinë, por sulmi ynë mund ta bëjë dallimin në këtë ndeshje. Sulmi mund t’ia vështirësojë punët Anglisë dhe të na dërgojë drejt mbrojtjes së titullit”, shtoi Lloris.