Sport

Kryeministri i Polonisë anulon bonusin për lojtarët

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, të martën u tërhoq nga deklarata e tij fillestare për t'i dhënë bonuse ekipit polak të futbollit për paraqitjen e tij në Kupën e Botës mes inflacionit të lartë dhe vështirësive në vend.

Ishte një përmbysje e papritur nga Morawiecki, i cili vetëm disa orë më parë tha se besonte se lojtarët kishin fituar një lloj bonusi duke avancuar nga grupi i tyre, rezultati më i mirë i Polonisë në turne në 36 vjet.

Por pas polemikave të nxitura nga inflacioni i lartë dhe pasiguria e përgjithshme, Morawiecki më në fund tha në Facebook se “nuk do të ketë mjete qeveritare” për shpërblimet për lojtarët. Ai tha se mungesa e financimit të mjaftueshëm është ndër problemet që pengojnë zhvillimin e futbollit të Polonisë.

Në një takim përpara se skuadra të nisej për në Katar, Morawiecki u premtoi lojtarëve një “shpërblim shumë të mirë” nëse gjërat do të shkonin mirë.

Raportet e mediave thanë se flitej për të paktën 6.7 milionë dollarë.

Polonia avancoi nga Grupi C pasi mposhti Arabinë Saudite, barazoi me Meksikën dhe humbi nga Argjentina. Më pas u eliminua në raundin e 1/8 e finales nga Franca.