Sport

Franca synon ta fitojë grupin, Tunizisë i duhet fitorja për të mbetur në Botëror

Kampionia në fuqi, Franca, nuk i ka fituar tri ndeshjet në fazën e grupeve të Kupës së Botës që nga fitimi i titullit të parë në vitin 1998. Tunizia nuk ka fituar në total tri ndeshje në historinë e saj në Kupë të Botës. Por skuadra afrikane duhet të mposhtë Francën të mërkurën për të pasur një shans për të kaluar në 1/8 e finales në Katar.

Trajneri i Tunizisë, Jalel Kadri, po e ndien presionin e ndeshjes së fundit të Grupit D, që zhvillohet të mërkurën prej orës 16:00.

"Unë nuk jam në pozicionin e Jalelit, por e di se Tunizia do të futet për ta fituar ndeshjen”, pranoi trajneri i Francës, Didier Deschamps.

Kadri tha para turneut se ishte “misioni i tij personal” të avanconte përtej fazës së grupeve dhe në konferencën për shtyp të martën, e konfirmoi një gjë të tillë.

“Le të presim rezultatin e ndeshjes dhe të shohim. Shpresoj se do të jem në gjendje t'i përgjigjem pyetjes suaj pas ndeshjes”, tha Kadri kur u pyet nëse do të ofrojë dorëheqjen në rast të eliminimit të Tunizisë. “Ne jemi ende gjallë dhe jemi ende të pranishëm në Katar”.

Francezët po kërkojnë të “barazohen” me skuadrën e vitit 1998, që e kishte kapiten Deschampsin. Por me kualifikimin e siguruar, Francës i duhet vetëm një barazim për të siguruar vendin e parë në grup. Kjo do të thotë se Deschamps ka luksin për të pushuar lojtarët kryesorë në këtë përballje.

“Padyshim që do të ketë ndryshime. Të gjithë janë të gatshëm të luajnë”, shtoi Deschamps që paralajmëroi se sulmuesi Kylian Mbappe mund të mos jetë titullar. “Fizikisht është mirë dhe ne duhet ta menaxhojmë gjendjen e tij. Ai është i rëndësishëm për ne dhe e bën dallimin në fushë, por respekton vendimet e trajnerit”.

Në rast se pushon Mbappe, atëherë në vendin e tij në sulm do të vendoset Antoine Griezmann, i cili ka luajtur si mesfushor i krahut të djathtë. Ai do t’i prijë sulmit së bashku me Olivier Giroudin, të cilit i duhet edhe një gol për t’u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te Franca, me 52 gola.

Franca ka shënuar gjashtë gola në dy ndeshjet e grupit - tre nga Mbappe dhe dy nga Giroud - ndërsa Tunizia u ndal në barazim 0:0 me Danimarkën dhe humbi disa raste në disfatën 1:0 ndaj Australisë.

Tunizianët nuk e kanë kaluar fazën e grupeve në pesë paraqitje, kurse dy fitoret e tyre ishin me 40 vjet diferencë - kundër Meksikës në vitin 1978 dhe kundër Panamasë katër vjet më parë në Rusi.

“Asgjë nuk është e pamundur. Unë besoj në lojtarët e ekipit tim. Ne duam t’i bëjmë krenarë tifozët tanë dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë është ta fitojmë ndeshjen”, insistoi trajneri i Tunizisë, Kadri.

Pavarësisht aftësive të mira teknike, Tunizia ka dështuar të shënojë gol në turneun e Katarit. Trajneri Kadri pret që golat të vijnë në ndeshjen më të rëndësishme të ekipit.

Me fitore ndaj Francës, Tunizia do t’i kishte gjasat e mëdha për të qenë ekipi i dytë nga Grupi D që do të paraqitej në fazën eliminatore të Kupës së Botës.

Australia është e dyta me tri pikë, derisa nga një pikë e kanë Danimarka e Tunizia.