Sport

Japonezët shpjegojnë arsyen e pastrimit të stadiumeve

Tifozët japonezë kanë befasuar sërish botën me sjelljet dhe respektin e tyre në Kupën e Botës “Katari 2022”. Pas çdo ndeshjeje të deritanishme, tifozët japonezë janë parë duke mbledhur mbeturina në tribuna pas ndeshjeve, pavarësisht rezultatit.

Edhe pse nuk është asgjë e re për japonezët, ky veprim i tyre gjithmonë befason të tjerët. Po ashtu, edhe lojtarët janë duke vendosur të njëjtat standarde teksa rregullojnë zhveshtoren dhe lënë shënime falënderimi.

Edhe në Botërorin “Brazili 2014”, tifozët japonezë u panë duke pastruar mbeturinat pas ndeshjes të ekipit të tyre. Federata e Futbollit të Japonisë për turneun e Katarit, i furnizoi tifozët japonezë me 8.000 thasë plehrash ngjyrë të kaltër dhe mesazhe “faleminderit” në gjuhën arabe, japoneze dhe angleze.

“Pastrimi i tribunave pas çdo ndeshjeje, është një gjë normale për japonezët. Të fitosh apo të humbësh një ndeshje nuk ka fare rëndësi. Në i sollëm këta thasë në Katar për ta mbështetur ekipin tonë. Qëllimi ynë kryesor është të mbushim stadiumin me ngjyrën e kaltër duke përdorur thasët që i mbledhim mbeturinat. Ne nuk jemi këtu fare për të pastruar plehrat, por për të përkrahur ekipin tonë”, tha Masaya Fukumori, lideri i tifozëve të Japonisë.