Sport

Befasitë në Botëror s’kanë të ndalur, Japonia shtang Gjermaninë

Përfaqësuesja e Gjermanisë është shtangur në ndeshjen e parë të Kupës së Botës. Në duelin e Grupit E, Gjermania ka pësuar humbje nga Përfaqësuesja e Japonisë.

Në fakt, Japonia ka fituar me përmbysje të rezultatit, duke shkaktuar befasinë e radhës në Katar pas përmbysjes së djeshme të Arabisë Saudite ndaj Argjentinës.

Japonia ka shënuar dy gola në pjesën e dytë për ta mposhtur Gjermaninë, e cila ishte në epërsi pas pjesës së parë.

Golin për Gjermaninë, e shënoi Ilkay Guendogan në minutën e 33-të nga penalltia. Me këtë gol edhe u zhbllokua rezultati i ndeshjes, përpara se Japonia të rikthehet fuqishëm në pjesën e dytë.

Brenda tetë minutave, Japonia shënoi dy gola për ta siguruar fitoren në ndeshjen e parë të Botërorit. Fillimisht, në minutën e 75-të rezultati u barazua nga Ritsu Doan. Ndërkohë, fitoren e vulosi Takuma Asano në minutën e 83-të.

Të dy futbollistët që shënuan golat ndaj Gjermanisë, bëjnë karrierë në Bundesligë. Doan është pjesë e Wolfsburgut, ndërsa Asano aktivizohet te Bochumi.

Në këtë grup, prej orës 17:00, takohen Spanja me Kosta-Rikën.


Japonia e ka përmbysur rezultatin ndaj Gjermanuisë

Pak minuta pas golit të barazimit, Japonia ka shënuar edhe golin e dytë për të kaluar në epërsi ndaj Gjermanisë.

Tetë minuta pas golit të parë, Japonia avancoi nëpërmjet Takuma Asanos. Ai shënoi nga afërsia në minutën e 83-të. Dy golat për Japoninë, i shënuan lojtarët që bëjnë karrierë në Bundesligë.

Kliko KËTU për ta parë golin


Futbollistët e Japonisë kanë barazuar rezultatin ndaj Gjermanisë pas disavantazhit në pjesën e parë.

Japonia ka shënuar në minutën e 75-të për rezultatin 1:1. Golin për japonezët e ka shënuar Ritsu Doan

Kliko KËTU për ta parë golin


Gjermania po avancon ndaj Japonisë pas pjesës së parë. Kjo ndeshje po luhet në stadiumin “Khalifa International” dhe i takon Grupit E.

Pas 45 minutave të parë, rezultati është 1:0 në favor të Gjermanisë.

Golin e vetëm në këtë pjesë, e shënoi mesfushori Ilkay Guendogan. Ai e zhbllokoi rezultatin duke u treguar i saktë nga penalltia, të cilën e fitoi David Raum pas një dueli me portierin e Japonisë.

Në anën tjetër, Japonia arriti të shënojë gol në minutën e tetë nëpërmjet Diazen Maedas, por që u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.

Po ashtu, edhe Gjermanisë iu anulua një gol për arsye të njëjtë, të cilin e shënoi Kai Havertz.


Përfaqësuesja e Gjermanisë ka kaluar në avantazh ndaj Japonisë në duelin e Grupit E të Kupës së Botës.

Gjermanët avancuan në minutën e 33-të, nëpërmjet mesfushorit Ilkay Guendogan. Guendogan shënoi nga penalltia, të cilën e fitoi David Raum.

Kliko KËTU për ta parë golin


Japonia e ka nisur furishëm ndeshjen ndaj Gjermanisë, e vlefshme për Grupin E të Kampionatit Botëror.

Takimi që po luhet në stadiumin “Khalifa Interantional” dhuroi gol në minutat e para, por u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.

Daizen Maeda ishte realizator.

Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Spanja e Kosta-Rika.