Përditësim 11:05 - Dy vetura kanë pësuar dëmtime nga të shtënat që janë raportuar në rrugën “Bardhyl Qaushi” te Rruga B në Prishtinë, në mesnatë.
“Mbrëmë rreth orës 23:55 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën '' Bardhyl Qaushi'' në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, të cilat kanë rezultuar me gjetjen e dy lloje gëzhojash. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërkaq dy vetura janë dëmtuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka thënë se po punon në identifikimin e të dyshuarve dhe ndriçimin e rastit.
Të shtëna me armë zjarri te Rruga B
Një incident me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të së martës në Prishtinë, gjegjësisht te Rruga B.
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi për KOHËN se janë dëgjuar të shtëna armësh, derisa aktualisht s’ka persona të arrestuar.
Prokuroria pa dhënë detaje shtesë tha se hetimet mbi zbardhjen e kësaj ngjarjeje po vazhdojnë.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se në Rrugën ‘B’ është raportuar për të shtëna me armë zjarri. Njësitet relevante kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar lidhur me rastin. Hetimet janë duke vazhduar me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të çështjes’, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.