Son paraqitet me maskë te Koreja e Jugut, i pasigurt nëse do të luajë

Son Heung-min mbajti një maskë në stërvitje me ekipin e Koresë së Jugut të mërkurën përpara Kupës së Botës në Katar dhe më vonë shprehu dyshimet e tij nëse do të jetë në gjendje të luajë prej fillimit të turneut për shkak të dëmtimit në fytyrë.
Sulmuesi i Tottenhamit nuk ka luajtur që nga 2 nëntori kur ai pësoi një frakturë rreth syrit të tij të majtë pas një përplasjeje me Chancel Mbemba të Marseilles në ndeshjen e Ligës së Kampionëve. Ai iu nënshtrua operimit dy ditë më vonë, duke shkaktuar shqetësime te Koreja e Jugut nëse do të jetë në gjenje të paraqitet në Kupën e Botës, që nis të dielën. Sipas agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut, “Yonhap”, maska e karbonit të Sonit që ai mbajti në seancën stërvitore në objektin stërvitor “Al Egla” në Doha kishte numrin e fanellës së tij - 7 - të shkruar me të bardhë në anën e majtë.
