Ka përfunduar pa gola pjesa e parë në ndeshjen ndërmjet skuadrës së Llapit dhe Dukagjinit. Kjo ndeshje po luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë dhe është duel i mbetur i xhiros së 12 të Superligës së Kosovës.
Pjesa e parë ishte e barabartë, ndërsa Llapi lëshoi rastin më të mirë për të zhbllokuar rezultatin. Në minutën e 44-të, Gerhard Progni i Llapit dështoi nga penalltia. Gjuajtjen e tij e priti portieri Kenan Haxhihamza.
Penalltia u konfirmua edhe pas rishikimit të sistemit VAR, ndërsa e shkaktoi Blerind Morina që ndërhyri në mënyrë të palejuar ndaj Trimror Selimit.
Pak minuta para penalltisë së Llapit, skuadrës së Dukagjinit iu anulua goli i sulmuesit Otto John për shkak të pozitës jashtë loje.