Të enjten në Tashkent të Uzbekistanit ka filluar Kampionati Botëror i xhudos. Në ditën e parë garat i kanë zhvilluar xhudistet në kategorinë deri 48 kilogramë dhe xhudistët në kategorinë deri 60 kilogramë. Dy medaljet e arta janë fituar nga japonezët.
Natsumi Tsunoda fitoi të artën në kategorinë deri 48 kg. Ajo në finale e mposhti gjermanen Katharina Menz. Medaljet e bronzta i fituan Assunta Scutto e Italisë dhe Abiba Abuzhakynova e Kazakistanit. Naohisa Takato i Japonisë fitoi të artën në kategorinë deri 60 kg te xhudistët. Xhudistët nga Mongolia, Kazakistani dhe Taipei Kinez fituan medaljet tjera.
Në Botëror paraqitet edhe Kosova, me katër xhudiste. Të premten garon Distria Krasniqi që kërkon suksesin në kategorinë deri 52 kilogramë.
Distria në xhiron e parë është e lirë, ndërsa në të dytën takohet me Lin Hsuan Hsu të Taipeit Kinez. Flaka Loxha, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka janë xhudistet tjera pjesëmarrëse nga Kosova.