Lionel Messi do të kthehet në Barcelonë verën e ardhshme. Ai ka bërë “paqe” me presidentin e klubit pas largimit dramatik dy vjet më parë. Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” iu bashkua Paris Saint-Germainit pasi Barça lëshoi një deklaratë duke thënë se Messi do të largohej për shkak të kufizimeve financiare të vendosura mbi klubin nga La Liga. Megjithatë, Messi – i cili iu bashkua PSG-së në vitin 2021 - thuhet se do të kthehet në Barcelonë kur kontrata e tij me klubin nga kryeqyteti francez të përfundojë verën e ardhshme.
Sipas gazetares argjentinase Veronica Brunati, Messi do të kthehet në Barcelonë më 1 korrik 2023 pas vetëm dy vjetësh në Paris Saint-Germain. Besohet se Messi do të kthehet në klub pasi “ka bërë paqe” me presidentin e Barcelonës, Joan Laporta, i cili ishte në qendër të polemikave dy vjet më parë. Messi u bë lojtar i lirë në verën e vitit 2021 pasi i skadoi kontrata me Barçën. Megjithatë ai ishte i vendosur të ri-nënshkruante me klubin pas bisedimeve pozitive fillestare midis të gjitha palëve. Mirëpo, Barça lëshoi një deklaratë bombë duke konfirmuar se Messi do të largohej për shkak të pengesave ekonomike dhe strukturore të rregulloreve të La Ligas spanjolle.
“Pavarësisht se është arritur një marrëveshje mes FC Barcelona dhe Leo Messit dhe me qëllimin e qartë të të dyja palëve për të nënshkruar një kontratë të re sot, ajo nuk mund të zyrtarizohet për shkak të pengesave ekonomike dhe strukturore. Duke pasur parasysh këtë situatë, Lionel Messi nuk do të vazhdojë të jetë i lidhur me FC Barcelonan. Të dyja palët shprehin keqardhje të thellë që dëshirat e lojtarit dhe klubit nuk mund të realizohen përfundimisht”, thuhej në komunikatë. “Barça dëshiron të falënderojë me gjithë zemër kontributin e lojtarit në rritjen e institucionit dhe i uron atij më të mirat në jetën personale dhe profesionale”.
Messi ishte i tronditur nga njoftimi pasi kishte rënë dakord të pranonte një zbritje page prej 50 për qind nga marrëveshja e tij e mëparshme - e cila ishte me vlerë mbi 425 milionë funte gjatë katër viteve - në mënyrë që të qëndronte në klub. Kjo do të nënkuptonte që të ardhurat e Messit do të ishin ulur për 250,000 funte çdo javë në kontratën e re pesëvjeçare të propozuar. Megjithatë ai ra dakord. Messi, të cilit i ishte thyer zemra nga lajmi për largimin e tij, ishte lidhur shumë me Manchester Cityn dhe Paris Saint-Germain si rezultat i kësaj.
PSG-ja dukej destinacioni më i mundshëm pasi Messi ishte takuar me ish-shokun e tij të skuadrës dhe mikun e ngushtë, Neymarin, vetëm disa ditë përpara se Barcelona të lëshonte deklaratën. Neymar, i cili u largua nga Barca për te PSG-ja në vitin 2017, kishte folur publikisht për dëshirën për t'u ribashkuar me argjentinasin. Neymar realizoi dëshirën e tij. Messi nënshkroi një marrëveshje dyvjeçare me vlerë prej 35 milionë funte në sezon me gjigantin e Ligue 1. Messi duroi një fillim të vështirë në PSG. Ai ishte lidhur me një rikthim në Barcelonë shumë shpejt pas debutimit në Francë. Ai arriti të shënonte vetëm gjashtë gola në 27 ndeshjet e para për skuadrën franceze. Ai gjithashtu nuk arriti të fitonte mbi tifozët, të cilët e vërshëllyen në ndeshjet pas eliminimit të PSG-së në Ligën e Kampionëve ndaj Real Madridit në 1/8 e finale. Si rezultat, ish-bashkëlojtari i Messit, Dani Alves, madje i bëri thirrje atij që të kthehej në klub pasi bëri rikthimin në “Nou Camp”.
Messi tani po lulëzon në ligën franceze. Ai ka shënuar shtatë gola në pesë ndeshjet e fundit. Messi ka pasur paraqitje të mira edhe në skenën ndërkombëtare me Argjentinën. Ai shënoi dy gola për ekipin e përzgjedhësit Lionel Scaloni kundër Hondurasit dhe shënoi dy gola tjerë kundër Xhamajkës muajin e shkuar.
Messi është ende i interesuar të rikthehet në Barcelonë sezonin e ardhshëm, sipas raporteve. Messi dhe familja e tij e kanë dashur gjithmonë Barcelonën dhe kanë folur për një rikthim të mundshëm një ditë. Messi bëri debutimin e tij për ekipin e parë të Barcelonës në vitin 2004 në moshën 16-vjeçare dhe u paraqit 778 herë, duke u shfaqur si një lojtar kyç. Ai vazhdoi për t’u bërë rekordmen i golave të shënuara me Barcelonën, duke realizuar 672 gola, përfshirë 120 gola në Champions dhe një rekord prej 474 golash në La Liga. Pas gjithë këtyre spekulimeve, të martën ka reaguar edhe trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez. Xavi ka bërë thirrje për qetësi kur është pyetur për rikthimin e Messit në Barcelonë.
“Me Leon, le të shohim, por nuk është momenti për të folur për këtë tani. Të gjithë e dinë dashurinë që kam për të. Ai është një mik dhe unë do t'i uroj gjithmonë më të mirat. Barça është shtëpia e tij, por ne nuk po i bëjmë atij asnjë nder duke folur për të ardhmen e tij. Le ta lëmë të qetë që të shijojë kohën e tij në Paris dhe t'i urojmë të gjitha të mirat”, ka theksuar Xavi.