Sport

Hapësira e Ronaldos shndërrohet në shqetësim për Portugalinë

Cristiano Ronaldo - Portugalia

Në kohën kur Cristiano Ronaldo do të shkojë në Katar, ylli portugez mund të jetë duke kaluar kufirin midis të qenit i freskët dhe jo efikas, aq sa të japë një kontribut të madh në atë që ka të ngjarë të jetë Botërori i tij i fundit. Kjo ka filluar të bëhet shqetësim për Përfaqësuesen e Portugalisë, e cila mbështetet te Ronaldo. Vetëm në një prej shtatë ndeshjeve të Premier Leagues, Ronaldo ka qenë titullar te Manchester Unitedi këtë edicion dhe ka shënuar vetëm një gol për ekipin ose Portugalinë në të gjitha garat. Dhe ky gol i yllit 37-vjeçar erdhi nga penalltia në një ndeshje të fazës së grupeve të Europa Leagues kundër ekipit nga Moldavia, Sheriff Tiraspol.

Ronaldo - një nga golashënuesit më të mëdhenj të futbollit botëror - nuk u inkuadrua as nga banka e rezervistëve në humbjen e Unitedit 6:3 nga Manchester City të dielën, një situatë disi e habitshme kjo duke pasur parasysh se si po shkonte rrjedha e ndeshjes për ekipin e tij në “Etihad Stadium”. Pasi u la në stol tërë ndeshjen ndaj Cityt, Ronaldo pritet të aktivizohet të enjten tek Unitedi në ndeshjen tjetër të Ligës së Evropës. Këtë herë Unitedi do të luajë në Qipro ndaj Omonia Nicosia. Kjo është hera e parë në karrierë për Ronaldon që po luan në rangun e dytë të garave të UEFA-s në nivel klubesh. Paraqitja në Ligën e Evropës dhe inkuadrimi nga banka e rezervistëve në Premier League nuk po i bën mirë reputacionit të Ronaldos. Mirëpo, më shumë se Ronaldon kjo situatë po e dëmton përzgjedhësin e Portugalisë, Fernando Santos. Ai nuk po ndihet mirë që po e sheh yllin në këtë situatë të pakëndshme.

“Shpresoj që Ronaldo të ketë minutazhë më të madhe dhe të jetë në formë të mirë për Kampionatin Botëror. Ai është lojtar i rëndësishëm për Portugalisë, i cili për momentin po e kalon një fazë jo të mirë”, ka pranuar Santos.

Situata e sulmuesit portugez tek Unitedi nuk i ka pëlqyer as ish-kapitenit të “Djajve të kuq”, Roy Keane. Pas humbjes nga City, Keane insistoi se Unitedi po e poshtëron Ronaldon.

Por, në çfarë gjendjeje do të jetë Ronaldo kur të bashkohet me Portugalinë në mes të muajit nëntor, pak para fillimit të Kampionatit Botëror? Sigurisht, se do të jetë i motivuar për ta dëshmuar veten. Mbetet të shihet efikasiteti i tij duke pasur parasysh mungesën e minutave këtë edicion tek ekipi anglez. Gjithashtu ai do të jetë edhe më i freskët.

“Jam optimist se do të jetë në formën më të mirë të mundshme”, shtoi Santos, i cili llogarit shumë në Ronaldon për ndeshjet e Grupit H kundër Ganës, Uruguait dhe Koresë së Jugut.

Ronaldo nuk ishte fare efikas për Portugalinë në ndeshjen e madhe kundër Spanjës që u luajt javën e shkuar në kuadër të Ligës së Kombeve. Ai shpërdoroi tri raste të mira në humbjen 1:0.

Edhe në mundësitë e rralla që ka pasur tek Unitedi këtë edicion, Ronaldo nuk është treguar i saktë para portës. Ai në derbin kundër Cityt dukej krejtësisht i zhgënjyer derisa qëndronte në bankën e rezervistëve, ndërsa City po shënonte golat e fitores.

Trajneri i Unitedit, Erik ten Hag pas ndeshjes deklaroi se nuk e inkuadroi Ronaldon në këtë humbje të thellë për shkak se mbrojti reputacionin e tij. Pothuajse është e pamundur të imagjinohet që Ronaldo mos të ftohet nga Portugalia për Kupën e Botës. Në të njëjtën kohë është pothuajse e pamundur të imagjinohet që Ronaldo në Katar të jetë sulmuesi i frikshëm për kundërshtarët që ishte dikur.