Sport

Hendboll, fitore e vështirë e Trepçës ndaj Vëllaznimit

Me ndeshjen Trepça – Vëllaznimi ka përfunduar xhiroja e tretë në Superligën e Kosovës në hendboll.

Të dielën në “Minatori”, Trepça fitoi me rezultatin 35:31. Skuadra mitrovicase ishte vlerësuar favorite, por fitoi falë paraqitjes më të mirë në minutat e fundit. Ndeshja thuajse deri në fund ishte e barabartë. Për Trepçën ishte fitorja e dytë, ndërsa Vëllaznimi pësoi humbjen e parë.

Ndeshjet tjera janë luajtur të shtunën.

Prishtina e ka fituar derbin ndaj Vushtrrisë me rezultatin 36:30. Edhe ndeshja në Prishtinë ishte e fortë dhe interesante. Besa Famgas fitoi bindshëm ndaj Rahovecit, 41:28. Ndërkohë Kastrioti fitoi ndaj Deçanit me rezultatin 36:18.

Te hendbollistet, Vëllaznimi ka shkaktuar befasi të madhe duke e mposhtur Prishtinën në kryeqytet me një gol dallim, 31:30. Skuadrat tjera favorite shënuan fitore të pritura.