Sport

UEFA konfirmon përjashtimin e Rusisë nga “Euro 2024”, e kthen Bjellorusinë

UEFA konfirmoi të martën se Rusia është përjashtuar nga Kampionati Evropian 2024. Skuadrat ruse u larguan në muajin shkurt nga garat ndërkombëtare si nga UEFA ashtu edhe nga organi botëror i futbollit, FIFA, disa ditë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës. Një apel rus kundër këtyre vendimeve u hodh poshtë edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

“Të gjitha ekipet ruse janë pezulluar aktualisht pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s të 28 shkurtit 2022, i cili u konfirmua më tej nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv më 15 korrik 2022. Prandaj Rusia nuk përfshihet në kualifikimet e Kampionatit Evropian të Futbollit UEFA 2022-2024”, thuhej në vendimin e UEFA-s, të publikuar në sajtin e saj zyrtar.

UEFA gjithashtu vendosi të lejojë që Bjellorusia të hyjë në shortin për “Euro 2024”, muajin e ardhshëm, pavarësisht një kërkese të Qeverisë së Gjermanisë, nikoqire e turneut, për ta hequr ekipin për faktin që Bjellorusia është një aleate ushtarake e Rusisë.

Bjellorusia do të jetë në shortin e 53 përfaqësueseve, që Rusisë i është ndaluar, kurse bjellorusët nuk mund të vendosen në të njëjtin grup me Ukrainën fqinje për arsye sigurie. Shorti për grupet e fazës kualifikuese do të hidhet më 9 tetor në qytetin e Frankfurtit.

Ministrja e Punëve të Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, javën e kaluar i kërkoi UEFA-s të mos e lejojë Bjellorusinë të paraqitet në short. Në letrën e saj Faeser i kishte shkruar UEFA-s se “jo vetëm Rusia, e cila po zhvillon një luftë agresioni që shkel ligjin ndërkombëtar, por edhe Bjellorusia, si një mbështetëse kryesore e udhëheqjes ruse, duhet të përjashtohet nga të gjitha ndeshjet dhe turnetë ndërkombëtarë të futbollit”.

UEFA njoftoi se i ishte përgjigjur ministres Faeser nëpërmjet një letre konfidenciale në lidhje me këtë çështje. UEFA veproi në muajin maj për të ndaluar Bjellorusinë të organizonte ndeshje ndërkombëtare dhe siguroi që ndeshjet e saj si vendase, në territor neutral, nuk do të ndiqeshin nga tifozët bjellorusë. Duke vendosur sanksione ndaj Bjellorusisë katër muaj më parë, UEFA citoi se pushtimi rus i Ukrainës “ishte lehtësuar nga qasja e dhënë nga territori fqinj i Bjellorusisë”.

Vendime të tjera politike të UEFA-s që kufizojnë shortin e “Euro 2024” përfshijnë edhe shmangien e përballjeve midis përfaqësueseve nga Azerbajxhani dhe Armenia ose Spanjës dhe Gjibraltarit. Po ashtu, nuk do të lejojë as Serbinë e Bosnjë-Hercegovinën të përballen me Kosovën.

UEFA ndërhyn në short për të kufizuar udhëtimet e tepërta.

“Gjermania, ekipi mikpritës i UEFA EURO 2024, kualifikohet automatikisht për turneun final dhe për këtë arsye nuk merr pjesë në shortin kualifikues”, vazhdoi njoftimi i UEFA-s pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv mbajtur në Kroaci.

Në shortin kualifikues do të marrin pjesë 53 përfaqësuese, të cilat do të ndahen në dhjetë grupe - shtatë grupe me pesë skuadra dhe tri grupe me gjashtë. Dhjetë fituesit e grupeve dhe dhjetë nënkampionët e grupeve kualifikohen për turneun final. Tri vendet e mbetura do të vendosen përmes ndeshjeve të plejofit që do të luhen në muajin mars të vitit 2024.